Mirosllav Lajçak, përfaqësues i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd – Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit, do ta vizitojë Ballkanin Perëndimor në javën e parë të marsit.
Lajçak do të qëndrojë në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinë, tri ditë duke filluar nga e hëna e 1 marsit. Më pas, ai do të vazhdojë vizitën në Serbi nga 3 deri më 4 mars dhe gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi, si pjesë e mandatit të tij rajonal nga 4 deri në 5 mars.
Lajçak planifikon të takohet me udhëheqjen politike të tre partnerëve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në terren.
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ditëve të fundit ka ngjallur reagime të shumzza në Kosovë për shkak të çështjes së hartës e cila u shfaq në zyrën e tij, ku Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë dhe Siguri të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se pretendimet rreth hartës janë të pavenda.
“Pretendimi në lidhje me hartën është plotësisht i gabuar dhe i rremë. Kjo hartë zyrtare e BE-së është përputhje me pozicionin e Bashkimit Evropian- statusi neutral. Unë do të rekomandoja të gjithë të përqendrohen në çështje reale që ndihmojnë në avancimin e dialogut për normalizimin e raporteve, në vend të përpjekjeve që të krijohen storie të rreme”, shkruan Stano në Twitter.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla.
Kryediplomatja Haradinaj ka shkruar se i ka dërguar një hartë të saktë të Ballkanit Perëdimor Emisarit Lajcak.