Tenori kosovar me famë botërore, Ramë Lahaj ka reaguar në lidhje me sulmet e Rusisë në Ukrainë.
Ai u shpreh se ka qenë disa herë në Rusi për të performuar dhe i konsideroi ata si artistë të mëdhenjë.
Prandaj, Lahaj u shpreh se Rusia nuk e meriton një përfaqësues si Putini,
“Si artist kam qenë disa herë në Moskë të Rusisë për të performuar në “Bolshoi teatër”, teatër ky me një kulturë shumë vjeçare. Ata janë artistë e njerëz të mëdhenj. Në boten e operës kam shumë miq rus të cilët janë njerëz e artist të mrekullueshëm. Njerëz paqësor dhe të emancipuar. Këto ditë kam diskutuar me disa prej tyre, ku kam kuptuar keqardhjen që shprehnin ndaj situatës me Ukrainën. Përfundimisht Rusia nuk meriton një përfaqësues si Putini”, ka shkruar Lahaj në Facebook.
Ai, tutje tha se si fëmijë që ka përjetuar luftën, ndjenë keqardhje për Ukrainën dhe qytetarët e saj.
“E gjithë kjo psikopati për destabilizim i adresohet direkt atij. Si një fëmijë që ka përjetuar luftën, ndjej keqardhje për Ukrainën dhe qytetarët e saj. Dhe uroj që gjendja të stabilizohet shumë shpejt. Sikur nuk kaluam mjaftueshëm dy vjet trauma nga pandemia. Veç edhe lufta na mungonte. Poshtë Putini dhe psikopatët që e mbështesin destabilizimin e çfarëdo provokimi për luftë”, ka shkruar Lahaj.