Bullgaria vendosi të bëjë të detyrueshme mbajtjen e maskës në hapësirat e jashtme duke nisur nga sot, në përpjekje për të frenuar valën e dytë të pandemisë së COVID-19, që ka vënë nën presion sistemin e brishtë mjekësor të vendit.
”Tashmë duhet të mbrohemi në tregje, stacione dhe stacione metrosh, rrugë dhe radhë pritjeje”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë, përveç rasteve kur është i mundur respektimi i një distance prej një metër e gjysmë.
Qeveria nuk ka njoftuar kufizime të tjera, me qëllimin për të ulur ndikimin në jetën shoqërore dhe shëndetin mendor të bullgarëve.
Bullgaria, një vend me shtatë milionë banorë dhe më i varfëri në Bashkimin Europian, ka kaluar këtë javë pragun e 1 000 të vdekurve që prej shfaqjes së koronavirusit të ri, ndërsa numri i rasteve sa vjen e rritet.
Ministri i Shëndetësisë, Kostadin Anguelov ngriti alarmin për situatën e personelit shëndetësor.
“Ata janë të lodhur, një pjesë e madhe e tyre janë të kontaminuar, të sëmurë, disa janë në reanimacion. Ne kemi nevojë për ndihmë”, deklaroi ai në një konferencë shtypi.