Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka hedhur poshtë raportimet që sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar të kësaj partie do të diskutohet për çështjen e presidentit.
Në një prononcim për Front Online, Deliu-Kodra ka treguar që sot do të mblidhen Grupi Parlamentar por se në këtë takim do të diskutohet për seancën e së premtes.
Por, ka hedhur poshtë deklaratat që në këtë takim i cili do të mbahet sot do të merrte përfundimisht vendimi për votimin ose jo të Vjosa Osmanit për presidente.
“Jo nuk është e vërtetë, ne kemi mbledhje të rregullt për seancën e cila do të mbahet të premten, ne për çështjen e presidentit e kemi dhënë qëndrimin tonë . Është takim i rregullt i Grupit Parlamentar për seancën e thirrur për të premten”, ka thënë Deliu-Kodra për Front Online.
Ajo e ka bërë të qartë që vendimi i PDK-së është i qartë që as nuk do të qëndrojnë në sallë e as nuk do ta votojnë.
“Sot kemi takim por e kemi për seancën, na qëndrimin edhe si Kryesi edhe si Këshill Drejtues edhe si individë e kemi dhënë, nuk e votojmë dhe nuk rrimë në sallë”, është shprehur deputetja e PDK-së.
Një ditë më parë Lidhja Demokratike e Kosovës në një takim për më shumë se dy orë ka vendosur që të qëndrojë në sallë në ditën kur hidhet në votim Vjosa Osmani për presidente.
Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se pres nga secili deputet të sillet si institucionalist, dhe nëse ka nevojë të kapërcejë edhe veten./Front Online/