Nexhip Vrenezi, 21 vjeçar nga Veleshta e Strugës dyshohet se mbrëmë u vra gjatë sulmit terrorist në Vjenë të Austrisë, raporton News33.tv, transmeton Gazeta Sinjali.
Dyshohet se 21 vjeçari ka ndëruar jetë pasi është qëlluar nga ana e terroristëve në momentin kur ka dalë për të pirë një cigare.
Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer sot tha se sulmuesi i vrarë në Vjenë ishte Kujtim Fejzullai, 20-vjeçar, me shtetësi të Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut, raporton AP.
Policia në Austri tha se po kërkojnë të paktën edhe një të dyshuar, për sulmet e shumëfishta në Vjenë të Austrisë, që lanë të vrarë të paktën katër persona.
Agjencia e lajmeve APA ka raportuar se dy persona janë arrestuar në lidhje me sulmet në Vjenë. Kjo agjenci tha se arrestimet kanë ndodhur në qytetin Shën Poelten, rreth 65 kilometra në lindje të Vjenës.
Ndërkaq, agjencia austriake e lajmeve ORF raporton se një person në Linz është arrestuar po ashtu pas sulmeve në Vjenë.
Një person, i përshkruar si islamist është nxjerrë me pranga nga shtëpia e tij, nga forcat e sigurisë, raporton ORF, duke shtuar se ende nuk është e qartë nëse ai ka lidhje me sulmin në kryeqytetin austriak.