Fehmi Mehmeti, ish-shef i protokollit është duke e ushtruar detyrën e sekretarit në Presidencën e Kosovës, raporton Front Online.
Këtë detyrë, Mehmeti e ka marrë pas largimit të Driton Gashit, i cili ishte përfshirë në skandalin e hapjes së kasafortës në këtë institucion.
Ndërsa komisioni i themeluar me vendim Ad hoc për nivelin e lartë drejtues, me vendim të u.d. Presidentes Osmani, më 20 janar 2021, në rastin disiplinor ndaj Driton Gashti, ka marrë vendim që ai të shkarkohet nga pozita e sekretarit.
“Komisioni i themeluar me vendim Ad hoc për nivelin e lartë drejtues, me vendim të u.d. Presidentes Osmani, më 20 janar 2021, në rastin disiplinor ndaj z. Driton Gashi, sekretar në zyrën e Presidencës, ka përmbyllur shqyrtimin e këtij rasti dhe ka vendosur unanimisht shqiptimin e masës disiplinore: largim nga shërbimi civil dhe e ka obliguar zyrën e Presidentes për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në përgjigjen e presidencës për Front Online.