Janë mbi 150 persona të cilëve u është refuzuar kërkesa për leje-qëndrim në Kosovë. Ndërsa, nga janari deri në tetor të këtij viti 2,642 persona janë pajisur me këtë leje, e këto kërkesa dominojnë për arsye të bashkimit familjar, të punës apo edhe të studimeve. Gjatë këtij viti, 139 persona kanë fituar shtetësinë e Kosovës, ndërsa 2,995 janë liruar nga shtetësia.
Drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, Valon Krasniqi thotë se, ka rënie të migrimit nga Kosova, ndërkohë shton se nuk ka ende të dhëna nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
“Nuk kemi shifra të sakta aktualisht. Nëse i referohemi statistikave të këtij viti ende janë Agjencia e Statistikave të Kosovës duke i përpunuar të dhënat. Mirëpo nëse i referohemi Eurostat-it, atëherë çdo vit vërehet një rënie e kërkesave për azil nga ana e kosovarëve në vendet të ndryshme të Bashkimit Evropian. Në vitin 2019, nga gjitha shtetet e BE-së, kemi pasur përafërsisht 4500 kërkesa për azil nga shtetas të Kosovës në vende të ndryshme të BE-së. Derisa e krahasojmë me vitet paraprake e vërejmë një rënie drastike”, shprehet Krasniqi.
Ai thekson se migrimi i parregullt është një prej rrugëve më të rënda që mund të vendos një person, derisa shton se një gjë e tillë nuk duhet bërë.
KosovaPress mëson se gjatë periudhës janar-tetor, 139 persona kanë fituar shtetësinë e Republikës së Kosovës, ndërsa gjatë periudhës janë liruar nga shtetësia 2,995 persona. Këtë e ka konfirmuar edhe Krasniqi.
Veç tjerash, ai ka folur edhe për kërkesat për leje-qëndrim.
“Prej janarit deri në tetor të këtij viti 2,642 persona janë pajisur me leje qëndrim. Prej tyre me leje-qëndrim të përkohshëm janë pajisur 2,521 persona, ndërsa leje të përhershme qëndrimi janë 121. Dominojnë lejet e qëndrimit për arsye të bashkimit familjar, pastaj për arsye të punës, studimit. Ndërsa, janë mbi 150 kërkesa për pajisje me leje-qëndrim të cilëve u është refuzuar, apo kemi vendim negativ, për arsye të mos plotësimit të kritereve të parapara në Ligjin për të Huajtë”, thekson ai.
Po ashtu, Krasniqi thekson se gjatë këtij viti ka pasur rritje të numrit të emigrantëve dhe kërkesave për azil nga shtetas të vendeve të Lindjes së Mesme.
Sipas tij, vetëm gjatë këtij në Kosovë kanë ardhur 2,600 shtetas të huajë, ku vetëm gjysma kanë kërkuar azil./FrontOnline/