Komuna e Prishtinës po planifikon rritjen e numrit të testeve ditore në mënyrë që të identifikohen rastet e infektimit me Covid-19 dhe në këtë mënyrë me izolimin e tyre të ulet numri i të prekurve.
Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Bujar Gashi thotë se me nisjen e testeve rapide, do të mund të bëjnë identifikimin e shpejtë të të prekurve me Covid-19.
“Së shpejti do të furnizohemi me testet rapide, testet anti-gjen me të cilat do ta rrisim numrin e testimeve brenda 24 orëve dhe me këtë të bëjmë identifikimin sa më të madh të qytetarëve të kryeqytetit të cilët janë me Covid-19 dhe të njëjtit të futen në vetëizolim dhe me këtë të pengojnë sa më shumë që mundemi përhapjen e Covid-19”, tha Gashi.
Por kur do të nis testimi?
“Praktikisht jemi në pritje të furnizimit me teste. Kanë përfunduar të gjitha procedurat vetëm jemi në pritje të operatorit ekonomik për furnizim dhe shpresojmë që java e ardhshme të fillojmë nga fundi i javës po shpresojmë me marrjen e testeve dhe po shpresojmë që nga fundi i javës së ardhshme të fillojmë me testet rapide anti-gjen”, tha ai për RTV Dukagjini.
Komuna e Prishtinës vazhdon të ketë numrin më të madh të të prekurve me koronavirus në nivel vendi.