Glauk Konjufca do të jetë kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës. Lajmi është konfirmuar nga nënkryetarja e Kuvendit që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.
“Ne tashmë i kemi numrat për votimin e qeverisë, përveç 58 deputetë të LVV, janë edhe 2 deputetë, Emilia Rexhepi dhe Elbert Krasniqi, pra janë 60 deputetë. Kemi 3 deputetë të tjerë nga komunitet jo shumicë jo serbe”, u shpreh Nagavci.
Nagavci ishte e rezervuar në dhënien e informacionit për postet e tjera të qeverisë, por tha se pesë gra do të jenë pjesë e qeverisë dhe njëra prej tyre do të drejtojë Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Euronews Albania ka arritur të mësojë disa prej emrave të kabinetit qeveritar ‘Kurti 2’:
Albin Kurti – kryeministër
Besnik Bislimi – zëvendëskryeministër
Donika Gërvalla – ministre e Punëve të Jashtme
Xhelal Sveçla – ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës
Albulena Haxhiu – ministre e Drejtësisë
Rozeta Hajdari – ministre e Tregtisë dhe Industrisë
Arbërie Nagavci – ministre e Arsimit e Shkencës
Hajrullah Çeku – ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Faton Peci – ministër i Bujqësisë
Liburn Aliu – ministër i Ekonomisë dhe Ambientit
Dy nga minoriteti serb dhe një nga minoritetet e tjera
Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë 58 deputetë në kuvendin e ardhshëm, por për krijimin e qeverisë i duhen të paktën 61 vota.
Seanca konstituive e legjislaturës së re do të mbahet më 22 mars, ndërsa pas saj pritet votimi i qeverisë së re.