Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë sot debat parlamentar në lidhje me gjendjen pandemike në vend dhe menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19 nga ana Qeverisë.
Seanca do të nis në orën 13:00.
Debati mbi gjendjen me coronavirus mbahet në kohën kur vendi po vazhdon të përballet me shtim të rasteve me sëmundjen infektive, si pasojë e së cilës nga e premtja e kaluar janë ndërmarrë masa të reja rigoroze që kufizojnë lëvizjen e qytetarëve dhe punën e gastronomisë.
Vendi ynë dje ka regjistruar edhe 688 raste të reja pozitive, 11 viktima dhe 236 të shëruar, ndërkohë që numri i rasteve aktive është 11.431 dhe janë gjithsej 833 viktima që nga shpërthimi i epidemisë në mesin e muajit mars.