
Edhe pse Kuvendi i Kosovës ka kaluar muaj të tërë i bllokuar e pa konstituim, deputetët kanë vazhduar të marrin paga të plota.
Në gjashtë muaj, nga buxheti i shtetit janë derdhur mbi 1 milion euro në llogaritë e tyre.
Nga muaji prill deri në shtator 2025, vetëm për paga deputetësh janë shpenzuar 1,156,355.32 euro, edhe pse pjesën më të madhe të kësaj periudhe Kuvendi ka qenë jofunksional, pa seanca plenare, pa komisione aktive e pa asnjë vendim të rëndësishëm legjislativ.
Shifrat:
Prill: 95,633.93 €
Maj: 234,998.98 €
Qershor: 199,907.67 €
Korrik: 205,831.92 €
Gusht: 206,052.30 €
Shtator: 213,931.52 €
Në muajin prill, kur Kuvendi pothuajse nuk kishte asnjë aktivitet, janë paguar gati 96 mijë euro, ndërsa në shtator, kur ende nuk ishte arritur konstituimi i plotë, shuma ka arritur në 213,931.52 euro – rreth dyfish më shumë.
Deputetët më të paguar – rekordet e një Kuvendi ”dembel”
Në krye të listës së përfituesve qëndron Dimal Basha, me 3,067.95 euro për shtatorin, i ndjekur nga Kujtim Shala (2,789.86 €), Vlora Çitaku (2,779.62 €) dhe Emilija Redžepi (2,656.80 €).
Edhe pse Kuvendi nuk ka zhvilluar seanca, paga bazë prej 1,914 euro për çdo deputet ka vazhduar të derdhet pa pengesë, e bashkë me të edhe shtesat për “përvojë pune”, të cilat shkojnë deri në 300 euro në muaj.
Kështu, një deputet që nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë gjatë muajit gusht apo shtator, ka marrë pagë të plotë sikur të kishte kaluar orë të tëra në debat parlamentar.
Kuvendi i bllokuar, buxheti në lëvizje.
Ndërkohë që vendi ka qenë në pritje të formimit të institucioneve të reja, asnjë komision nuk ka funksionuar normalisht, asnjë ligj nuk është miratuar, e asnjë mbikëqyrje qeveritare nuk është bërë nga Kuvendi.
Por për sistemin e pagesave, asgjë s’është bllokuar.
Buxheti i shtetit ka vazhduar të derdhë rregullisht pagat për një institucion që ka qenë simbolikisht i mbyllur, por financiarisht më aktiv se kurrë.
Nëse llogaritet mesatarja mujore, del që çdo muaj Kuvendi ka kushtuar mbi 192 mijë euro vetëm për paga, pa llogaritur mëditjet, shpenzimet e udhëtimeve apo kompensimet shtesë për komisione që nuk janë mbledhur asnjëherë.
Në një kohë kur qytetarët ballafaqohen me rritjen e çmimeve, me vonesa pagash në sektorin publik dhe me mungesë të investimeve, deputetët kanë gëzuar stabilitet financiar luksoz, edhe pse produktiviteti institucional ka qenë zero.
10 deputetët më të paguar nga prilli deri në shtator
Ndërkohë që Kuvendi ka qenë në ngërç institucional, disa deputetë janë paguar mbi nivelin standard për shkak të “përvojës pune” apo “kompensimeve retroaktive”.
Më poshtë ju sjellim emrat e atyre që gjatë kësaj periudhe u paguan më së shumti:
| Dimal Basha | 3,067.95 € |
| Kujtim Shala | 2,789.86 € |
| Vlora Çitaku | 2,779.62 € |
| Emilija Redžepi | 2,656.80 € |
| Glauk Konjufca | 2,421.80 € |
| Saranda Bogujevci | 2,199.59 € |
| Enver Hoxhaj | 2,317.52 € |
| Arijeta Rexhepi | 2,049.55 € |
| Fatmire Kollçaku | 2,021.66 € |
| Time Kadrijaj | 2,068.14 € |
Ish-deputetët Haxhi Avdyli e Adriana Matoshi të VV-së nuk morën pagën e prillit, gjeneruan të hyra tjera gjatë kësaj periudhe
Front Online nga Kuvendi i Kosovës ka siguruar të dhënat zyrtare lidhur me pagesat e realizuara për deputetët gjatë muajve mars, prill dhe maj 2025, duke sqaruar ndryshimet e bëra në bazë të verifikimeve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Deputetët Haxhi Avdyli dhe Adriana Matoshi nuk kanë marrë pagë kalimtare për muajin prill, pasi ATK ka konstatuar se ata kanë gjeneruar të hyra të tjera gjatë kësaj periudhe.
Këtë gjë e ka konfirmuar Kuvend i Kosovës për FrontOnline.
Po ashtu, atyre u është bërë ndalesë edhe për pagën kalimtare të realizuar në muajin mars 2025, prej datës 22 mars, duke u bazuar në të njëjtat verifikime tatimore.
Ndërkohë, ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe ish-nënkryetarët e tij janë paguar për muajin prill jo vetëm me pagën bazë, por edhe për mbajtjen e funksioneve drejtuese.
Kuvendi thekson se deri më 15 prill, kryetari dhe nënkryetarët kanë vazhduar të marrin pagën e pozicioneve drejtuese, meqenëse kanë realizuar shtesën transitive që u takon deri në këtë datë. Nga 16 prilli, të njëjtit kanë kaluar në pagën standarde të deputetit.
Në raportin e siguruar nga FrontOnline, bëhet e ditur gjithashtu se, nga paga e muajit maj, ish-nënkryetarëve Enver Hoxhaj dhe Kujtim Shala u është bërë një ndalesë prej 189.94 euro secilit, pasi gjatë periudhës 15 – 19 prill nuk kanë ofruar dëshmi me shkrim që vërteton se nuk kanë gjeneruar të hyra të tjera financiare.
Kuvendi ka njoftuar se të gjitha pagesat dhe ndalesat janë bërë në përputhje me procedurat ligjore dhe verifikimet e institucioneve kompetente./Front Online.