Kuvendi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) më 30.03.2021 ia ka dhënë dritën e gjelbër fillimit të implementimit të Planit Strategjik të FBK-së për periudhën 2021 – 2025.
30 delegatë të pranishëm nga 39 sa numëron gjithsej Kuvendi i FBK-së e kanë votuar unanimisht Planin Strategjik 2021-2025 të cilin para delegatëve e ka prezantuar Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, përcjell FrontOnline.
Numri një i FBK-së para delegatëve ka deklaruar:
“Federata e Basketbollit të Kosovës gjatë hartimit të Planit Strategjik ka bashkëpunuar me të gjitha grupet e saj të interesit, derisa me Grupin e përbashkët të Punës që e kemi pasur me FIBA-n, ne kemi punuar për një periudhë 8 mujore në hartimin e këtij plani. Ky është Plani Strategjik i pari për FBK-në që nga paslufta, andaj ne premtojmë se së bashku me anëtarët tanë dhe me të gjitha grupet tona të interesit do të punojmë në implementimin e tij. Kjo është një sfidë e radhës për ne si Federatë, por ne jemi të gatshëm, andaj edhe qysh nga fillimi i vitit ne kemi filluar me implementimin e planit strategjik. Ne planifikojmë ta bëjmë lansimin e planit strategjik zyrtarisht në prani të zyrtarëve të lartë të FIBA-s dhe FIBA Evropës në një aktivitet të MiniBasketbollit, por se për kohën e saktë të lansimit nuk mund të flasim saktë, pasi jo gjithcka varet nga ne dhe FIBA, me pandimë e pranishme. Ne shpresojmë se kjo do të ndodh në muajin maj ose qershor”.
Pesë qëllimet e Federatës së Basketbollit të Kosovës me të cilat synon të arrijë të realizojë planin e saj strategjik janë:
1. Perfomanca e lartë (plani teknik, zhvillimi i lojtarëve dhe trajnerëve, zhvillimi i garave).
2. Rritja e të ardhurave dhe stabiliteti financiar.
3. Basketbolli për të gjithë (rritje 100% e pjesëmarrjes përmes komunitetit, klubeve dhe shkollave).
4. Femrat në basketboll.
5. Fuqizimi i klubeve tona.
Secili qëllim i ka objektivat dhe nën-objektivat e veta, si dhe planet e veprimit me të cilat do të realizojë implementimin e këtij Plani Strategjik për periudhën 2021-2025. /FrontOnline/