×
  • Opinione
  • Opinione

    Kushdo që fiton, Amerika duhet të ndryshojë drejtimin

    Rana Foroohar
    04 Nëntor 2024

    Burimi: The Financial Times, Rana Foroohar.

    Të martën, amerikanët do të votojnë në zgjedhjet ndoshta më të rëndësishme presidenciale të jetës sonë. Kandidatët nuk mund të jenë më të ndryshëm, por sfida që do të përballen do të jetë e njëjtë – si të rigjallërojnë ndjesinë e qëllimit kombëtar dhe dinamizmin në një vend që mund të ketë arritur majën e fuqisë konkurruese.

    Pas pandemisë, Amerika ende po përjeton një rritje ekonomike. Por, përpara saj qëndrojnë sfida të mëdha ekonomike, politike dhe sociale. Polarizimi politik nuk do të përfundojë me këto zgjedhje; përkundrazi, mund të përkeqësohet. Produktiviteti po ngadalësohet, popullsia po plaket, mediat sociale po nxisin ndarje dhe vendi po përballet me sfida nga Kina dhe tregje të tjera në zhvillim, të cilat po afrohen gjithnjë e më shumë në aleancat që synojnë konsensusin për rendin post-Uashington.

    Shtetet e Bashkuara ende kanë një mjedis vital biznesi, universitete të shkëlqyera, burime të pasura natyrore dhe një bazë relativisht të fortë industriale. Megjithatë, përballen me burokraci dhe mungesë efikasiteti, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, me një elitë të fokusuar në interesa vetjake, një forcë pune të papërgatitur për shekullin XXI dhe një ndjenjë të dobësuar të unitetit kombëtar. Më e rëndësishmja, Amerika sot nuk ka një qëllim të përbashkët dhe madje as një ide të qartë për të mirën e përbashkët.

    A mund të ndryshohet drejtimi? Sipas një raporti të përpiluar nga Rand Corporation, me titull “Burimet e dinamizmit të rinovuar të kombit”, rimëkëmbjet e tilla janë të rralla, por të mundshme. Ky raport shqyrton qindra vite histori për të parë nëse dhe si fuqitë e mëdha në krizë kanë mundur të rifitojnë ndjenjën e qëllimit.

    Është një studim që të bën të reflektosh. Vendet rrallëherë arrijnë të përmbysin rënien konkurruese pasi ajo të ketë nisur. Por, disa prej tyre kanë mundur ta parandalojnë këtë rënie (e matur sipas faktorëve si pjesa e PBB-së globale, tregtia, fuqia ushtarake, udhëheqja ndërkombëtare dhe ndikimi kulturor). Këto vende kanë punuar për ta shmangur rënien dhe për të krijuar sisteme të qëndrueshme për rritje dhe prosperitet të përbashkët.

    Dy shembuj ilustrues janë Britania e viteve 1840 dhe ShBA-ja pas viteve 1890. Gjatë këtyre periudhave, këto vende adresuan probleme të shumta ekonomike, politike dhe sociale, me angazhime të thella për reforma që çuan në rinovim kombëtar. Britania viktoriane, për shembull, u përball me ndikimet negative të industrializimit mbi mjedisin dhe punën, pabarazinë në rritje dhe korrupsionin politik. Amerika, pas Epokës së Artë, kishte probleme të ngjashme.

    Në fund, të dy vendet arritën të miratonin reforma të rëndësishme që përmirësuan të drejtat dhe standardet e punës, rritën qasjen në arsim dhe zgjeruan të drejtën e votës për grupe të reja. Këto ndryshime çuan në dekada të rritjes së gjerë dhe në një qëllim të ri kombëtar.

    Si arritën ta bënin këtë? Së pari, arritën të diagnostikonin problemet para se ato të bëheshin të pazgjidhshme. Siç vëren raporti i Rand-it, ka shumë shembuj të shteteve në rënie, si Perandoria Osmane dhe Bashkimi Sovjetik, të cilat nuk i kuptuan problemet e tyre derisa rënia u bë e sigurt. Në këtë aspekt, ShBA-ja mund të ketë një avantazh sot, pasi është kuptuar gjerësisht, nga të dyja anët e spektrit politik dhe të gjitha shtresat shoqërore, se vendi po përballet me sfida të mëdha nga brenda dhe jashtë.

    Gjithsesi, vetëm diagnoza e saktë nuk mjafton për të ndaluar rënien. Shtetet gjithashtu kanë nevojë për një mentalitet të zgjidhjes së problemeve dhe përpjekje të shumta për të adresuar sfidat e ndryshme. Rinovimi kombëtar i Britanisë viktoriane dhe Amerikës së epokës progresive e pasqyron këtë. Në të dy rastet, politikanë, biznesmenë, aktivistë, sindikata dhe lëvizje të ndryshme ishin pjesë e një debati të rëndësishëm për reformën. Ky faktor është gjithashtu i pranishëm sot në ShBA ku, pavarësisht polarizimit politik, ka një diskutim të gjallë për drejtimin e ndryshimeve të vendit.

    Disa kapacitete shtetërore dhe një qeveri funksionale janë thelbësore për çdo përpjekje për reformë (le të shpresojmë që Donald Trump të mos i dëmtojë këto nëse rizgjidhet). Por, ndoshta faktori më i rëndësishëm për rinovim kombëtar është përfshirja e elitave dhe qytetarit të zakonshëm. Në shumë periudha të historisë, siç theksohet në raportin e Rand-it, dinamizmi i rinovuar kombëtar ka përkuar ndjeshëm me rritjen e elitave të frymëzuara nga interesi publik. Qoftë aristokratët britanikë të shekullit XIX që mbështetën reformat apo progresistët amerikanë të fillim-shekullit XX që kuptuan se fitimet e tyre ishin të kërcënuara në një vend të pabarabartë dhe të paqëndrueshëm, përfshirja e elitave ishte thelbësore për rinovimin kombëtar.

    A ka Amerika një përfshirje të tillë sot? Në këtë aspekt, ndihem më pesimiste. Ndërsa grupet si “Patriotic Millionaires” dhe pjesë të Partisë Republikane që nuk mbështesin Trumpin janë një hap drejt së mirës, ka shumë të privilegjuar që thjesht nuk vendosin të mirën e përbashkët mbi normat e tyre të taksave. Ekspertët që pranojnë ulje të mëdha pagash për të hyrë në shërbimin publik janë të nënçmuar dhe ekziston një cinizëm i madh për aftësinë tonë për të ndryshuar vendin për të mirë.

    Amerika ka probleme të mëdha, por gjithashtu ka forca të mëdha. Shkenca dhe teknologjia, sipërmarrësia, baza e fuqishme e konsumatorëve dhe vullneti i saj janë zilia e botës. Por, ato nuk janë mjaftueshëm të sigurta për të mbështetur ndryshimin. Shpresoj që presidenti i ardhshëm të jetë i sinqertë për atë që duhet ndrequr dhe të bashkojë amerikanët për ta realizuar atë. /Telegrafi/

    Nga Rubrika
    Opinione20 Dhjetor 2024
    Nga Hisen Berisha: Mosrespektimi ose shpërfillja e simboleve shtetërore nga një parti politike pjesë e sistemit politik shtetëror, veçanërisht kur bëhet fjalë...
    Opinione19 Dhjetor 2024
    Shkruan: Albert Prenkaj Në dritën e pritjes së zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe ndryshimeve në pozitat kyçe...
    Opinione18 Dhjetor 2024
    Shkruan Blerim Shala:  Sekush që përpiqet të përcjell me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë duke i analizuar ato në një perspektivë disavjeçare...
    Të tjera
    Vip21 Dhjetor 2024
    Gili së bashku me djalin sonte nisin rrugëtimin e “BBVA”. Ata në këtë rrugëtim do të jenë si një banor i vetëm....
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka takuar strukturat e partisë në Llap, për çfarë ka thënë se takimi u...
    Hulumtime21 Dhjetor 2024
    Sonte zhvillohet super meçi mes Oleksandr Usyk dhe Tyson Fury, që është i dyti mes tyre brenda këtij viti. Ky duel pritet...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka uruar mirëseardhje në Kosovë kompanisë së shërbimeve cilësore të internetit Starlink. “Mirësevjen në Kosovë”, ka...
    Vip21 Dhjetor 2024
    Egli Tako është banorja e parë që ka hyrë në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Ajo është 27 vjeçe dhe ka...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Shtatë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksident që ka ndodhur mbrëmjen e sotme të Dheu i Bardhë, në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.