Dorëheqja e ish-kryetarit të Podujevës, Agim Veluit, për t’u bërë ministër i Brendshëm po provokon seriozisht qeverisjen LDK’së në Podujevë, që konsiderohet edhe bastion i saj. Sipas sondazheve, LDK’ja po prin e para, por assesi të fitojë pa balotazh. Probleme LDK’së po i sjell ish-kandidati i vet, e që tash garon nga radhët e VV’së. Mënjëherë pas VV’se vjen PDK’ja e treta dhe AAK’ja e katërta.
Qytetarët e komunës së Podujevës sot një muaj do të dalin në zgjedhje që ta nxjerrin kryetarin e ri. E për kryetar komune nga partitë e mëdha do të garojnë Nexhmi Rudari nga LDK’ja, Shpejtim Bulliqi nga VV’ja, Naim Fetahu nga PDK’ja dhe Fatmir Humolli nga AAK’ja.
Eksperti i sondazheve nga PIPOS, Fisnik Halimi, ka thënë për Gazetën Express se rezultatet e sondazheve të para tregojnë se LDK’ja po prin e para, përsëri. Megjithatë, nuk mjafton që të triumfojë pa balotazh. Kjo për shkak se kandidati i VV’së, Shpejtim Bulliqi, po i sjell probleme serioze ish-partisë së tij.
“Sipas sondazhit të fundit të PIPOS në komunën e Podujevës, gara për të parin e komunës do të jetë mjaftë e ngushtë në mes të LDK’së, e cila po prin dhe VV’së e cila po del e dyta”, ka thënë Halimi për Express.