Në tubimet e partive në ditën e parë të rrugëtimit 10 ditësh në fushatë pati premtime nga më të ndryshmet duke filluar nga arsimi, sporti, ekonomia, shëndetësia dhe fusha të tjera.
Ku dhe si e hapën fushatën dhe çka thanë kandidatët e partive për kryeministër e president i mësoni më poshtë:
Lëvizja Vetëvendosje
Ky subjekt politik tubimin qendror të ditës së parë të fushatës e mbajti në Prishtinë.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti njëherësh kandidat për kryeministër në hapje të aktivitetit tha se pandemia e koronavirusit ishte një nga ngjarjet më të rënda të vitit të kaluar.
Ai shpalosi edhe planin e partisë që drejton për fushën e sportit dhe arsimit.
“Do ta ndërtojmë një stadium nacional. Ne do të investojmë për të forcuar shkollat e sportit për fëmijët. Do të punojmë sa më shumë që të kemi arsim të zhvilluar do të investojmë tek edukimi parauniversitar. Do të punojmë që fëmijët tanë të luftojnë për dije dhe jo notë. Arsimi në shkolla do të digjitalizohet, do të formojmë Fondin e Hulumtimeve Shkencore”.
“Do të ndajmë dy mijë euro për të rinjtë për të punuar në startup, do të zvogëlojmë numrin e papunësisë. Qeveria jonë do të jetë më probiznesit, bizneseve do t’ua heqim barrën e ryshfetit. Në treg do të jenë të gjitha të barabarta”.
Kurti ka thënë se diasporës do t’ia largojnë kartonin e gjelbër dhe do t’ua mundësojnë votimin në ambasada dhe konsulatat në vendet ku jetojnë.
Lidhja Demokratike e Kosovës
Kandidati për kryeministër i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë në hapje të fushatës se synojnë që të vazhdojnë të qeverisin sikurse siç tha ai kanë bërë në shtatë muajt e fundit.
“Në shtatë muaj kemi mobilizuar 700 milionë euro për ekonomi dhe qytetarë. E kemi nxjerr ekonominë nga kriza e pandemisë. Me politikat tona edhe në kohë pandemie janë rritur eksportet e Kosovës për 25 përqqind”.
“Kemi qeverisur me integritet dhe maturi. Ëndrra jonë 30 vjeçare është bërë realitet. Vajzat dhe djemtë e Kosovës janë bërë pjesë e ushtrisë amerikane në misione paqësore. Kam nënshkruar marrëveshjen historike që vendin tonë e kthen në nyje gjeopolitike në rajon. Kjo marrëveshje ]e 4 shtatorit në Ëashington] na e siguroi njohjen nga Izraeli duke thyer bllokadën trevjeçare të mosnjohjeve”.
Hoti gjatë prezantimit të programit qeverisës të LDK-së ka folur për kundërshtarët politikë,
“Janë të njëjtit njerëz që kanë heshtur dhe kanë qenë kundër në çdo fazë të shtetndërtimit të Kosovës, që kanë kundërshtuar politikën paqësore të Ibrahim Rugovës, që bënin thirrje për pjesëmarrje në zgjedhjet e Serbisë në vitet ‘90 dhe kanë qenë kundër Rambujesë”.
Partia Demokratike e Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës hapi fushatën me një organizim digjital.
Kandidati për kryeministër i këtij subjekti politik, Enver Hoxhaj gjersa prezantoi listën e kandidatëve për deputetë deklaroi se është krenar me listën e siç e quajti ati të Rimëkëmbjes dhe programin që ofron partia e tij, njofton Klan Kosova.
”Programi ynë është për të gjithë. Gjatë vizitave nëpër Kosovë, qytetarët më kanë pyetur:
“Çka domethënë Rimëkëmbja për ne?”
Rimëkëmbje për studentin domethënë studime falas në universitet. Rimëkëmbje për të rinjtë e papunë domethënë 15 milionë euro për të nxitur ndërmarrjet e reja. Rimëkëmbje për mjekun domethënë mundësi për të ushtruar profesionin e tij këtu, pranë familjes, në qytetin e tij. Me dinjitet. Me pagë dinjitoze – 1500 euro për mjekun specialist dhe 650 euro për infermierët”.
”Rimëkëmbje për fermerët domethënë shlyrja deri në 50% e kredive. Rimëkëmbje për mësuesit domethënë rritje e pagave në 600 euro. Rimëkëmbje për profesorët e shkollave të mesme domethënë rritje e pagave në 700 euro. Rimëkëmbje për profesorët universitarë dhe akademikët domethënë rritje e pagave në 1800 euro”.
”Projekti i Rimëkëmbjes, po ashtu, nënkupton pensione dinjitoze për kategoritë e dala nga lufta, për veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve. Pensionet do të rriten nga 170 në 300 euro. Si dhe rritje prej 40 % të pensioneve për pensionistët”.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës zgjodhi qytetin e Prizrenit për ta hapur fushatën, njofton Klan Kosova.
Kreu i këtij subjekti politik, njëherësh kandidat për president, Ramush Haradinaj tha se nuk ishte rastësi që e zgjodhën këtë qytet për ta hapur fushatën.
“Më 14 shkurt kur votojmë suksesi i zgjedhjeve nuk do të varet vetëm nga zgjedhja e kryeministrit dhe deputetëve por nyja e shtetit është edhe zgjedhja e presidentit. Po paralajmërohet se një parti do të ketë kryeministrin, kryeparlamentarin dhe presidentin e kjo nuk është në rregull pasi duhet të ketë ndarje të pushteti e kështu mund të bëhet i gjithëpushtetshmi”.
“Nëse dëshironi pushtete të ndara kjo mund të bëhet me mua si President, në bashkëpunimin me kryeministrin, me menaxhimin e ekonomisë dhe sigurimin e përkrahjes dhe sigurisë për të drejtat e qytetarëve. Asnjëherë nuk do të lejoj nga askush që të nëpërkëmbet e drejta e ndokujt – do të respektojë të gjitha pakicat etnike pasi janë njerëz të vendit tim”.
“Për të kuptuar se kush është presidenti i mirë duhet të kuptojmë se do të përballemi me Serbinë ku presidenti Vuçiq po e cënon integritetin e Kosovës”.
Haradinaj mes tjerash deklaroi se po të duhet për vendin edhe sakrifikohet.
“Nëse është nevoja për Kosovën sakrifikohem – jo për vete po për shtetin gjithmonë”.
Nisma Socialdemokrate
Në tubimin hapës të fushatës së Nismës Socialdemokrate, kryetari i saj njëherësh kandidat për kryeministër Fatmir Limaj, tha se “sot më shumë se kurrë Kosovës i duhet zëri dhe fryma çlirimtare”.
Ai ka deklaruar se është këtu për të garantuar që zëri i çlirimtarëve nuk mund të shuhet dhe ajo të të jetoj me krenari në çdo pjesë të vendit tonë.
“Nga Avniu dëshmori më i ri i brigadës e deri të më i vjetri që kam vizituar dje, ne arritëm të dalim faqebardhë. Ne mbrojtëm kauzën e shenjtë të lirisë së Kosovës. Mbi 85 mijë njerëz e kishin vu fatin e tyre në dorë të djemve të UÇK-së. Ata na besuan krejt çka kishin duke qenë të bindur se nuk dezertojmë. Ne jemi simbol i mbrojtës i sakrificës dhe jemi simbol i lirisë dhe fitoreve, kjo është brigada 121”.
Më tutje, ai ka ftuar bashkëluftëtarët e tij të rreshtohen së bashku drejt fitoreve të reja.
“Sot më shumë së kurrë Kosova ka nevojë për zërin çlirimtarë në Kuvendin e Kosovës. Ne asnjëherë deri më tani nuk kemi bërë kompromis me interesa të atdheut. Sot po iu drejtohem bashkëluftëtarëve të mi anekënd Kosovës më shumë se kurrë kemi nevojë të bashkohemi në këtë frymë çlirimtare, iu drejtohem familjeve patriotike që kanë dhënë gjithçka për të ardhur këtu rreshtohuni e bashkohuni më këtë frymë çlirimtare”.
“Nisma Socialdemokrate do të jetë befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve, do ta shihni më 14 shkurt, qindra mijëra qytetarë që nuk kanë qenë me Nismën po rreshtohen e bashkohen kësaj kauze dhe po e shohin këtë projekt si mbi partiak”.