Shefja e grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila e ka përsëritur edhe në kuvend se biseda me Milan Radoiçiqin është e montuar.
Me tonë tepër të lartë për shkak të zhurmave nga disa deputetë në kuvend, e me shiritin “Danger” të vendosur nga Haki Abazi”, ajo bëri paralajmërimin bombë për Radoiçiqin.
Duke iu kthyer deputetes Time Kadrijaj e Abelard Tahirit, ajo tha: “Imagjinojeni kur t’iu dalin fotografi nga përurimi i shtëpisë së Radoiçiqit, dhuratat për fëmijët e tij nga zyrtarë e udhëheqës, e fotot kush e ka vizituar e kush ka pasur biznese”.
Më tutje, ajo tha se Lista Serbe po i mungon disave në kuvend.
“Abelard, në asnjë formë nuk po mundeni ta pasqyroni dhe atribuoni bashkëpunimin që keni pasur ju me Listën Serbe e me i barazu, prandaj po doni me bë shpifje dhe falsifikime. Aq shumë po ju mungojnë se nuk janë këtu prezent që 28 muaj me qeverinë Kurti e me këtë pozitë Lista Serbe nuk është në kuvend. Ju në pamundësi për me i pasë ata me ju ndihmu, duheni të fabrikoni dhe çka bëni, i thirrni bashkëpunëtorët dhe bashkëpronarët e Radoiçiqiqit për me ju fabriku materialin që duhet ta publikoni. Slavko Simiq prej qershorit të vitit 2022 nuk është ulur në këto ulëse. Radoiçiqi me qeverinë Kurti është i përndjekur prej Interpolit dhe Kosovës e natyrisht ai nuk ka shanse të kthehet në Kosovë, asnjëherë, vetëm duarlidhur”.
“Kur po flisni për këto bashkëpunime ju kujtoje Time Kadrijaj pjesa e qeverisë në të cilën ke qenë ti, ka qëndruar në kuvend 7 orë e ka pritur Listën Serbe për me ardh prej Beogradit me t’i jep votat që Haradinaj të bëhet kryeministër. Kjo nuk ka ndodh me qeverinë Kurti”, tha ajo.