Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një takim virtual me kancelarin federal të Austrisë, Sebastian Kurz, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale politike, menaxhimin e pandemisë COVID-19, distribuimin e vaksinave, procesin e liberalizimit të vizave, si dhe për bashkëpunimin bilateral.
Zyra e Kryeministrit përmes një deklarate ka njoftuar se Hoti dhe Kurz folën për zhvillimet aktuale dhe punën e Qeverisë në detyrë.
Ata po ashtu biseduan edhe për përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Hoti e njoftoi Kurzin me masat që ka ndërmarrë Qeveria me qëllimin minimizimin e pasojave që ka shkaktuar pandemia si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë ekonomik e social derisa po bisedonin për procesin e imunizimit dhe të vaksinimit kundër COVID-19.
Hoti nga Kurz mori konfirmimin se distribuimi i vaksinave për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhet në të njëjtën kohë.
Dy udhëheqësit kanë folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, ku mori mbështetjen e tij për vazhdimin e punës së Qeverisë, në mirëmbajtjen e kritereve të plotësuara për liberalizim në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës sa më parë të mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.
Me kërkesë të Hotit, kancelari Kurz konfirmoi se Austria do të konsiderojë vazhdimin e marrëveshjes për kredi të butë me Kosovën, kryesisht për projekte për furnizim me ujë dhe trajtim të ujërave të zeza.
Hoti dhe Kurz vlerësuan lart marrëdhëniet midis dy vendeve duke shprehur gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit në çdo fushë me interes bilateral.