Kryetari i Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, ka deklaruar se masat e marra dje nga Qeveria e Kosovës janë të dëmshme për bizneset.
Madje, ai është shprehur se këto masa janë marrë pa u konsultuar fare me komunitetin e biznesit, shkruan Front Online.
“Këto masa që u morën dje, nuk janë marrë në konsultim me komunitetin e biznesit. Ne do të dëshironim që të japim kontributin tonë karshi Qeverisë për masat të cilat do të ishin më lehtë të zbatueshme sido që të jetë ato masa u morën pa konsultime të sektorit privat , pa konsultimin e Odës Ekonomike dhe si të tilla janë të dëmshme dhe do ta dëmtojnë edhe më tepër sektorin privat”, ka deklaruar Kurtishaj, për Front Online.
Sipas tij, këto masa do ta ngulfasin ekonominë, duke shtuar se shpreson që këto të fundit do të zgjasin vetëm 11 ditë.
“Ne nuk do të dëshironim që këto masa të zgjasin më tepër. Kosova në mungesë të vaksinës po hyn në mbyllje për ekonominë, në mbyllje të jetës, qoftë të shkollave, qoftë të fakulteteve, qoftë të ekonomisë qoftë të gastronomisë, qoftë hotelerisë, qoftë turizmit. Madje, Qeveria më mirë do të ishte ta mendonte alternativën se si të vaksinojë qytetarët apo mantelbardhët apo profesorët se sa të shkojmë drejt mbylljes”, është shprehur ai.
E, duke folur pikërisht për masa ka thënë se është e papranueshme ato të merren sot për sot.
“Është jo e dinjitetshme që sot për sot të merren masa për t’u mbyll turizmi, për t’u mbyll shërbimet tjera, për të marrë masa ndikojnë në jetën dhe depresionin të qytetarët kur ishin këta politikanë të gjithë pa asnjë dallim në kohë fushate ku marshuan në restorante, nëpër hotele gjatë fushatës, ndërsa ne sot kemi mbylljen”, ka deklaruar ai.
Sa i përket paralajmërimit për protesta nga disa sektorë në rast se masat vazhdojnë edhe pas 18 prillit, Kurtishaj ka thënë se nuk i duan, por se Qeveria duhet të gjejë zgjidhje, pasi që janë për zgjidhje me dialog.
“Protestat janë lajmëruar edhe nga gastronomet, ndërkaq kemi pas edhe një protestë të transportuesve ku qëllimi ka qenë të sensibilizojmë qytetarët për humbjet që janë shkaktuar dhe ajo protestë është pezulluar përkohësisht për t’i dhënë mundësi Qeverisë për të skanuar gjendjen. Ne nuk duam që të kemi protesta, ne do të tentojmë që t’i shfrytëzojmë mundësitë tona të komunikimi me Qeverinë, por shpresoj që Qeveria do të gjejë mundësi për të ndërtuar dhe avancu këtë dialog, në mënyrë që pas 18 prillit këto masa të mos jenë në fuqi”, ka deklaruar kryetari Kurtishaj, për Front Online.
Por, pavarësisht kësaj thotë se janë të obliguar që të zbatojnë vendimin e Qeverisë brenda kësaj periudhe kohore kur edhe janë përcaktuar masat./Front Online/
https://www.facebook.com/FrontOnlineMedia/videos/1289744888088402