Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq është duke u përgaditur për kërcënime të reja ndaj Kosovës.
Kurti ka deklaruar se këto kërcënime, Vuçiq është duke i bërë në koordinim me Rusinë.
“Vuçiq në koordinim me Rusinë, mbi varrezat masive, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja ndaj Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Tutje ai ka thënë se edhe pas 25 vite, Serbia e drejtuar nga ministri i Millosheviqit, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatit ultimatume të reja në drejtim të Kosovës.
“25 vjet pas gjenocidit në Kosovë, me 186 masakra, rreth 500 varreza masive në Kosovë, 5 varreza masive në Serbi, ku mbetën të vrarë mbi 13 mijë njerëz (1392 fëmijë; 1739 gra; 1882 të moshuar), rreth 20 mijë gra e vajza të dhunuara dhe keqtrajtuara, dhjetëra mijëra qytetarë të persekutuar, mbi 860 mijë të dëbuar nga Kosova dhe qindra mijëra të tjerë që nga malet shihnin qysh po ju plaçkiten e digjen shtëpitë (gjithsej 119,855 sosh), dhe ende 1595 persona të zhdukur me dhunë, qindra familje që jetojnë me ankth e dhembje, ndërsa i mbanë të fshehura informacionet për vendndodhjen e të paktën 11 varrezave masive brenda territorit të saj, Serbia e drejtuar nga ministri i Millosheviqit, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatitin kërcënime dhe ultimatume të reja në drejtim të Kosovës”, ka thënë tutje Kurti.