Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka vizituar familjen e “10-tshit” të UÇK-së, Rexhep Selimit, në 4-vjetorin e arrestimit të tij.
Në reagim thuhet se Rexhep Selimi tash e katër vjet është duke u mbajtur padrejtësisht në burgun e Hagës, teksa atë e quajtën figurë të çmuar që i ka shërbyer vendit si ish-komandant dhe më pas si deputet.
“Sot, vizita e Kryeministrit Kurti dhe krerëve të tjerë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! te familja e Rexhep Selimit, bashkëshortja e tij dhe deputetja Shqipe Mehmeti-Selimi, përforcoi edhe një herë bindjen tonë të pathyeshme: lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe dinjitoze. Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë gjykatën e padrejtë, gjykimin e padrejtë, ashtu siç kemi bërë gjithmonë”, thuhet në reagimin e VV-së, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, në reagim VV-ja tha se si Lëvizje, si anëtarësi e si aktivistë janë të patundur në mbështetjen për Selimin.
“Si Lëvizje, si anëtarësi e si aktivistë, jemi të patundur në mbështetjen për Rexhepin dhe shpresojmë që ai të kthehet sa më parë te ne, te vendi që aq shumë e deshi dhe për të cilin kontribuoi shumë dhe pa kursyer asgjë”, thuhet në reagim.