Kryetari i VV’së, Albin Kurti, me anë të një postimi në Facebook ka kërkuar dënimin e politikanëve pjesëmarrës në qeverinë serbë që kreu krime kudnër njerëzimit në Kosovë.
Kurti ka kujtuar liderin gjerman, Willy Brandt që u përul para memorialit të viktimave të Nazistëve në kryeqytetin e Polonisë.
“Pesëdhjetë vjet më parë Willy Brandt-i, figura më e shquar e socialdemokracisë gjermane, u përgjunj në Varshavë, para memorialit të viktimave të Gjermanisë Naziste, të masakruara në geton e Varshavës në 1943. Ai nuk shtoi fjalë, viktimat nuk kanë nevojë për fjalë, e nuk e tha asnjë “por”, sepse pranimi i përgjegjësisë nuk bëhet duke i ikur fajit. E kujtojmë me respekt të thellë atë gjest të tijin, sepse duhet marrë si model e shembull prej atyre politikanëve të cilët në fund të shekullit XX deshën të përsërisin modelin e Gjermanisë naziste, në përmasa ballkanike.”
“Ditët e fundit në Kizhevak të Rashkës janë gjetur trupa të varrosur nën mbetje gurthyesish e materialesh ndërtimi. Kizhevaku është vendi i pestë ku zbulohen varreza masive në Serbi, pas Batajnicës, Peruçacit, Petrovo Selos dhe Rudnicës. E nga Serbia jo vetëm që nuk po vjen pranimi i fajit, dënimi i fajtorëve e kërkimi i faljes, por dëgjojmë këmbënguljen se “Kosova është Serbi”. Kjo qasje e qeveritarëve serbë, të cilët vitet e fundit po ri-armatosen me intensitet, nënkupton se nuk kanë hequr dorë nga projekti i vjetër i cili solli gjenocidin, luftën e këto varre masive.”, shkruan ai.
“Pa gjyqin e Nurembergut e pa përgjunjen e Ëilly Brandt-it, pajtimi evropian me Gjermaninë e pasluftës, nuk do të ndodhte kurrë. Dënimi i rreptë i kriminelëve, dhe pendimi i thellë e reflektimi pranues mbi fajet e veta, që erdhi prej politikanëve, akademikëve, artistëve, historianëve dhe mbarë popullit gjerman, i dhuroi Evropës paqen e zhvillimin, e Gjermaninë e çliroi prej së shkuarës dhe e bëri vend model për demokracinë dhe zhvillimin. Evropa me këmbëngulje duhet të kërkojë dënimin e politikanëve pjesëmarrës në qeverinë serbe që urdhëroi krimet gjenocidale, e vetë Serbia duhet të çlirohet nga e shkuara e saj, të pranojë krimet, të dënojë fajtorët e të njohë Kosovën, nëse duam vërtet që Ballkani të ecë drejt Evropës, e të mos kemi gjithnjë ankthin dhe pasigurinë e së ardhmes.”, shton Kurti.