Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Shejh Neki (Shejh Ban) Shehut.
Me këtë rast, Kryeministri Kurti në këtëletër ngushëllimi ka thënë se mirësia, mençuria dhe besimi i Shejh Nekiut pasqyruan padyshim për të gjithë besimtarët porosinë për më shumë shpresë e angazhim për jetë më të mirë.
Letër ngushëllimi i Kryeministrit Kurti:
Me pikëllim të thellë e pranova lajmin e hidhur për ndarjen nga kjo botë e Shejh Neki (Shejh Ban) Shehut.
Jeta dhe veprimtaria e tij në shërbim të qytetarëve të Gjakovës dhe tërë Kosovës, ishte dhe do të mbetet frymëzim për të gjithë ata që lartësojnë vlerat e kombit dhe i mishërojnë ato me besimin në Zot. Mirësia, mençuria dhe besimi i Shejh Nekiut pasqyruan padyshim për të gjithë besimtarët porosinë për më shumë shpresë e angazhim për jetë më të mirë.
Shejh Nekiu nuk ishte vetëm predikues dhe besimtar, ai ishte shembulli i njeriut të urtë, punëtor dhe dashamirës për të gjithë, pa dallim feje, race apo gjinie. Ai kishte cilësi të njeriut bashkëkohor me vlera humane, dhe përkushtim të pakursyer për qytetarët e komunës së Gjakovës.
Ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta djemve, Leonardit e Labinotit, vajzës, Leonora, përcjellësve e komunitetit të besimtarëve të tyrbes së Shejh Banit dhe gjithë Gjakovës për humbjen e njeriut me vlera të larta njerëzore.