Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi nga kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, për zgjedhjen kryeministër i Republikës së Kosovës.
Në urimin e dërguar në emrin e tij dhe të Dukës së Madh të Luksemburgut, kryeministri Bettel i ka shprehur kryeministrit Kurti dëshirat më të mira për sukses në përmbushjen e detyrave të tij të rëndësishme dhe sfiduese.
Luksemburgu është partner afatgjatë dhe mik i Kosovës dhe shpresoj se së bashku mund t’i forcojmë lidhjet mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe të vazhdojmë bashkëpunimin e frytshëm, ka shkruar kryeministri Bettel. Ai ka thënë se Luksemburgu vazhdon të përkrahë perspektivën evropiane dhe rifillimin e shpejtë të dialogut Prishtinë-Beograd, të lehtësuar nga BE-ja, për të ndihmuar arritjen e normalizimit të plotë të marrëdhënieve.
Kryeministri Bettel ka shprehur shpresën se kryeministri Kurti do të vazhdojë përpjekjet ambicioze të reformës që i pati filluar në shkurt 2020, në fushën e drejtësisë e posaçërisht luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ngase siç ka thënë ai, sundimi i ligjit është hap thelbësor për Kosovën në rrugën e saj evropiane./Front Online