Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka kujtuar profesorin Zejnullah Gruda një ditë pas lajmit se i njëjti ka vdekur, raporton Gazeta Express.
Kurti e ka quajtur Grudën diplomat me kulturë e profesionit briliant.
“Profesor i shquar. Diplomat me kulturë. Profesionist brilant. Qytetar i ndershëm. Intelektual i angazhuar. Njeri fisnik. Zejnullah Gruda na la dje në ditën e mësuesit. I tillë ishte: mësues, për të gjithë ne që e njohëm; nuk mund të bisedoje me të a të lexoje nga ai pa mësuar diçka të rëndësishme prej tij”, ka thënë ai.
“Nga gjeopolitika botërore te e drejta ndërkombëtare publike, nga historia e Ballkanit e shekullit XX te të drejtat e njeriut në vendin tonë, nga analizat e mprehta politike te mbrojtja e territorit të Kosovës nga ‘demarkacioni’, kontributi i Prof. Zejnullah Grudës rron me ne, librat e tij do të jenë përherë nëpër bibliotekat tona publike e private, kurse kujtimi për të përjetë i pashlyeshëm. Ngushëllime familjes, studentëve e profesorëve, dhe mbarë popullit tonë”, ka shkruar Kurti.