Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” shënoi 60-vjetorin e themelimit si ansambël profesionist, ku në këtë ngjarje i ftuar ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se me këtë rast, Kurti ka kthyer në kujtesë vitin 1984, kur ky ansambël së bashku me Nexhmije Pagarushën, përfaqësuan kulturën tonë në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore në Sarajevë, si dhe vitet 1985 dhe 1986, kur triumfuan në festivalet ndërkombëtare në Sidmouth dhe Dijon.
Duke folur për Ansamblin “Shota”, kryeministri është shprehur se falë punës vullnetare të anëtarëve të saj, ata mbajtën gjallë artin dhe traditat tona.
“Edhe në periudhat më të vështira, si në vitet ‘90, kur Kosova jetonte nën Aparteidin e regjimit të Serbisë, “Shota” nuk ndaloi. Falë punës vullnetare të anëtarëve të saj, ata mbajtën gjallë artin dhe traditat tona, duke dhënë koncerte në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Zvicër, Turqi, Francë dhe në shumë vende të tjera. Më 15 shtator 1999, ata dhanë koncertin e parë pas luftës në Teatrin Kombëtar, një simbol i ringritjes dhe vazhdimësisë sonë kulturore e kombëtare”.
“Sot, pas 60 vitesh si ansambël profesionist, ata numërojnë mbi 7,500 koncerte e prezantime dhe një sërë çmimesh ndërkombëtare, përfshirë triumfin e tyre të fundit në Spanjë në vitin 2024. Sot është e pamundur të mos ndalemi dhe të falënderojmë të gjithë ata që ishin aty në fillimet e këtij ansambli të madh”, është shprehur Kurti.