×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Ndryshimi për Podujevën vjen me Shpejtimin dhe VV-në

    FrontOnline
    27 Nëntor 2020

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se ndryshimi për Podujevën vjen me Shpejtim Bulliqin si kryetar komune.

    Sipas tij, Shpejtimi i duhet Besianës për të shpëtuar nga mashtruesit e përfituesit, për të shpejtuar për zhvillim e përparim sepse tepër shumë kohë kemi humbur, njofton Klan Kosova.

    “Kjo ditë është të dielën me 29 nëntor. Dita kur zgjedhim Shpejtimi Bulliqin kryetar të Komunës, dita kur kthejmë shpresën për qytetarët dhe kur përvjelim mëngët për të filluar punën e madhe që na pret për ndryshimin e madh që i duhet Podujevës”.

    Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të tij në Facebook:

    Qytetarë të dashur të Podujevës,

    Para një viti ne u bëmë bashkë si kurrë më parë për të sjellë ndryshimin e madh.

    Shpresa për ndryshim u bë realitet me 6 tetor të vitit të kaluar kur ne guxuam të shkëputemi nga e kaluara e errët drejt të ardhmes së ndritur.

    Kjo shpresë për ndryshim u testua në katër muaj qeverisje të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

    Ato që i premtuam në fushatë i bëmë realitet në qeveri duke dëshmuar se politikanët mund të jenë të drejtë dhe të ndershëm dhe se politika nuk ka pse të jetë sinonim i manipulimit nga lart, mashtrimit të popullit e pasurimit vetjak.

    Premtuam reciprocitet tregtar me Serbinë dhe atë e realizuam.

    Premtuam luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe nepotizmit prandaj edhe shkarkuam bordet e politizuara dhe filluam procesin e vetingut në drejtësi.

    Premtuam më shumë drejtësi dhe barazi dhe në mesin e një krize shëndetësore ofruam një pako fiskale që ndihmonte më të dobëtit e më të varfërit.

    Premtuam qeverisje të drejtë dhe të pastër e cila është shërbim ndaj qytetarëve e jo sundim i tyre.

    Ulëm pagat e privilegjet e qeveritarëve dhe kthyem dinjitetin dhe besimin në zyrën e kryeministrit si një vend që punon për të gjithë pa dallim e pa diskriminim.

    Pra dëshmuam se Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekt ndryshe, që realizon atë që premton dhe që kurrë nuk i braktis parimet dhe qytetarët.

    Këtë nuk mund ta themi për të tjerët. Të tjerët edhe nuk kanë parime por edhe i thyen premtimet që i dhanë.

    Partneri ynë i koalicionit dhe subjekti që ka qeverisur me komunën tuaj për këto 20 vjet ju mashtroi sërish juve dhe gjithë qytetarët e Kosovës duke thyer jo vetëm premtimet e dhëna por edhe duke na kthyer në të kaluarën e zezë të PAN-hajnisë.

    Me 6 tetor ju vendosët masivisht që PAN-hajninë ta dërgonit në opozitë dhe votuat për një qeveri ndryshe, por kjo udhëheqje e Lidhjes Demokratike të Kosovës ju gënjeu juve dhe gjithë neve. Ata braktisën ndryshimin, marrëveshjen tonë të koalicionit, programin e përbashkët qeverisës dhe u kthyen te partnerët e tyre në PAN. Madje, e përjashtuan nga partia kandidaten e tyre për kryeministër me të cilën kërkuan votën dhe besimin tuaj.

    Prandaj, këto zgjedhje janë me rëndësi për Besianën por edhe për gjithë Kosovën.

    E gjithë Kosova do të shikojë me 29 nëntor zgjedhjen që do të bëjnë qytetarët e Podujevës.

    Do të shikojnë nëse ju do të vendosni të ndëshkoni qeverisjen e keqe në këto 20 vite apo do të lejoni vazhdimin e saj.

    Do të shikojnë nëse ju do të ndëshkoni mashtrimin dhe poshtrimin që përjetuat nga zgjedhjet e kaluara apo do ta toleroni e duroni atë.

    Ju pra do të vendosni.

    Do të vendosni nëse viti që vjen do të duket sikur 20 vitet e shkuara apo të ndryshoj.

    Por unë kam bindjen se në Llapin e Bacës Adem, të Afrimit, të Shaban Shalës e Ali Ajetit e Hasan Ramadanit, të Zahirit e të Ilirit, nga të Ylfete Humolli te Mon Balajt, nuk ka munguar e nuk mungon kurrë guximi për ndryshim.

    Prandaj le të guxojmë. Le të guxojmë të ndryshojmë sepse ndryshimi nuk vjen kurrë pa e kërkuar.

    E ndryshimi për Podujevën vjen me Shpejtimin dhe VETËVENDOSJE!-n.

    Unë kam arritur të njoh Shpejtimin kur ai vendosi integritetin e tij profesional e dinjitetin e tij njerëzor duke qëndruar te faktet dhe e vërteta për demarkacionin.

    Shpejtimi ka mundur të heshtë apo të vendoste që të shkilte parimet e besimin e tij në të vëretetën duke votuar ashtu siç bën partia e tij e dikurshme.

    Por Shpejtimi zgjodhi të vëretën mbi gënjeshtrat, zgjodhi të drejtën mbi të gabuarën dhe vendosi qëllimin e përgjithshëm përpara përfitimit individual.

    Ky pra është Shpejtimi.

    E Shpejtimi i duhet Besianës për të shpëtuar nga mashtruesit e përfituesit, për të shpejtuar për zhvillim e përparim sepse tepër shumë kohë kemi humbur.

    Me 29 nëntor ndryshimin e kemi në duar, prandaj është e pafalshme të na ikë.

    Duhet të bëhemi bashkë dhe me votë t’u japim përgjigjen atyre që vodhën të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj; atyre që pasurimin e tyre e kishin lart përmbi mirëqenies tuaj.

    Ju jeni ata që keni kërkuar ndryshimin dhe ju jeni ata që mund ta sillni ndryshimin.

    Ju jeni ata që keni pritur gjithë këto vite ditën kur komuna i kthehet qytetarit.

    Ditën kur kemi spitale normale, ku ka ilaçe e shërbime shëndetësore cilësore.

    Ju jeni ata që keni pritur ditën kur investojmë në shkolla moderne, në rrugë e ndriçim në secilën lagje dhe ku hapim dyert e mundësive për të gjithë.

    Ditën ku punësimi bëhet me dije dhe meritë e jo përmes favoreve e miqësisë.

    Koha kur veturat e komunës nuk do të jenë për t’i sjellur e kthyer drejtorët nga Prishtina por për agronomët e komunës që do t’i takojnë fermerët në fusha.

    89 mijë banorë të komunës janë 89 mijë argumente për ndryshim. E drejta dhe shansi për ndryshim janë përplot me arsye për ndryshim.

    Kjo ditë është të dielen me 29 nëntor. Dita kur zgjedhim Shpejtimi Bulliqin kryetar të Komunës, dita kur kthejmë shpresën për qytetarët dhe kur përvjelim mëngët për të filluar punën e madhe që na pret për ndryshimin e madh që i duhet Podujevës.

    Prandaj votoni që të gjithë dhe secili prej jush dhe mos leni askënd mbrapa.

    Secila votë ka peshë, secila votë do të numërohet dhe secila votë bënë ndryshimin.

    Vendosni maskat, mbane distancën e higjenën dhe votoni për Shpejtim Bulliqin dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

    Votoni numrin 12.

    Sepse erdhi Dita për Llapin e Gollakun.

    Nga Rubrika
    Lajme17 Nëntor 2024
    Anëtari i kryesisë së AAK-së Daut Haradinaj, ka reaguar pas raportimit se kryetarja e Komisionit Parlamentar për Bujqësi Fitore Pacolli ka ndikuar...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, po kërkohen të nisin hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, po qëndron për vizitë në Gjermani. Haradinaj...
    Të tjera
    Vip17 Nëntor 2024
    Xheneta është parë e përlotur për shkak të situatës së krijuar mes saj Gjestit dhe Edit. Derisa, situatën e komentuan edhe Leo,...
    Vip17 Nëntor 2024
    Gjesti ka akuzuar Xhenetën dhe Edin se po bëjnë “filma”. “Kur te kuptojsh injorancen atëherë thuj jam i mençur, se mu nuk...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Vetëm gjatë muajit gusht të këtij viti rreth 140 qifte vendosën t’i ndajnë rrugët e tyre. Sipas të dhënave të Agjencisë së...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Njohësi i Çështjeve të Sigurisë, Bedri Elezi për Front Online, thotë se nuk ka besuar në premtimin e kryeministrit Albin Kurti për...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Nesër, Qeveria e Kosovës do të jetë nikoqire e një takimi të përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Sipas kryetarit të...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, për FrontOnline, ka folur për premtimin e kryeministrit Albin Kurti, për shërbimin ushtarak të detyrueshëm. Për të...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.