Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë homazhe tek varri i Mon Balajt dhe Arben Xheladinit në 14 vjetorin e protestës së përgjakshme të 10 shkurtit, ku vdiqën dy aktivistët.
Kurti i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, anëtarët e partisë, aktivistë e familjarë të Xheladinit fillimisht bënë homazhe në Podujevë tek varri i Mon Balajt, e më pas tek varri i Arben Xheladinit në Prishtinë.
Me këtë rast lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se Moni dhe Arbeni janë dëshmorë të vullnetit të popullit për liri.
“Pas homazheve në Besianë tek Moni, ne erdhëm këtu tek varri i Arbenit që po ashtu të bëjmë homazhe dhe të vendosim lule të freskëta. Arbeni dhe Moni janë dëshmorë të vullnetit të popullit për liri, i cili është i pandalshëm pavarësisht pengesave dhe vështirësive. Besnikëria e VV-së ndaj asaj demonstrate dhe këtyre dëshmorëve është thellë në organizatën tonë, në mendjen dhe zemrën e secilit aktivist”, tha Kurti.