Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule të freskëta pranë pllakës përkujtimore “Kosova Kujton”, për të përkujtuar dhe nderuar viktimat e 11 Shtatorit, që ndodhën në vitin 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti është shprehur se Kosova qëndron pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë ditë përkujtimi dhe siç është shprehur ai, theksojmë partneritetin, aleancën, dhe miqësinë tonë të fuqishme në çdo aspekt e në veçanti, në luftë kundër terrorizmit.
“Kujtimi ynë shkon për viktimat, solidariteti ynë me familjet që i kanë humbur më të dashurit e tyre, dhe gjithashtu bashkëpunimi ynë me qeveritë demokratike anembanë botës të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftë kundër terrorizmit”.
“Para 23 viteve, 2977-të qytetarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kullat Binjake, në Pentagon, në katër avionët dhe 403 zjarrfikës e policë, duke provuar t’i shpëtojnë ata, humbën jetën, ranë heroikisht dhe shënuan një datë e cila sot paraqet edhe një epokë të re, që prej atëherë, sepse terrorizmi duhet luftuar nga të gjithë, dhe duhet bashkëpunimi i secilit shtet, secilës qeveri, secilit aktor e faktor, secilit politikan e do të thosha secilit qytetar liridashës i cili dëshiron paqe, demokraci, të drejtat e njeriut, pluralizëm politik dhe mirëqenie që nuk diskriminon asnjeri”.
“Në mesin e atyre që u vranë para 23 vjetësh ishin edhe tre bashkatdhetarë shqiptarë që gjithashtu i kujtojmë, të familjeve Camaj, Dedvukaj dhe Gjonbalaj. Nderime dhe lavdi të gjitha viktimave dhe qëndresës e sakrificës së zjarrfikësve dhe policëve amerikanë”, është shprehur Kurti.