Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u shpreh i bindur se qeveria e tij do të ketë votat e mjaftueshme në Kuvend pa pasur nevojë për një koalicion paszgjedhor. Ai thotë se mund të marrë vota nga deputetë jo-serbë si dhe nga ndonjë deputet tjetër opozitar.
Në një intervistë për Agjencinë Bullgare të Lajmeve (BTA), Kurti flet edhe për dialogun, duke thënë se do të hapet një kapitull i ri me Serbinë përmes një dialogu të sinqertë. Ai ka përsëritur se dialogu do të jetë prioritet i katërt pas punësimit, drejtësisë dhe pandemisë COVID-19.
Në lidhje me integrimin në Bashkimin Evropian, Kurti deklaroi se do të punojë me pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, si Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro, për të ndryshuar mendim rreth mëvetësisë së Kosovës.
Intervista e plotë:
BTA: Kush do të ishte partner i mundshëm në qoftë se do të kishte nevojë për një koalicion qeverisës?
Albin Kurti: Ne veçse e kemi bërë koalicionin para zgjedhjeve, dhe ky koalicion parazgjedhor të cilin e kemi krijuar me listën e Presidentes Vjosa Osmani, gjë që ka bërë që këto zgjedhje të parakohshme të shndërrohen në referendum të njerëzve, ku ne arritëm fitore me një lumë votash. Si pasojë, ne nuk shohin asnjë parti tjetër nga “garda e vjetër” apo “Ancien Régime” siç parapëlqejmë t’i quajmë, si partner të ardhshëm të qeverisë sonë. Si rrjedhojë, nëse me 50 përqind të votave, ne nuk kemi 61 deputetë të parlamentit për shkak të 20 vendeve të rezervuara për minoritetet, ne planifikojmë të marrim deputetë të parlamentit nga minoritetet joserbe, dhe ndoshta disa anëtar të parlamentit nga opozita të cilët thjeshtë do të donin të përfaqësonin njerëzit të cilët i kanë votuar, përkundër partive të cilave u përkasin. Jam i bindur se qeveria jonë do të ketë shumicën, pa pasur nevojë të hyjë në asnjë lloj negociatash me ata të cilët janë mundur nga lista jonë e përbashkët.
BTA: Cilat janë disa nga problemet kryesore në Kosovë të cilat synoni t’i zgjidhni, dhe çfarë hapash do të merrni për t’i zgjidhur ato?
Albin Kurti: Përkundër rajonit, moshës, apo nacionalitetit në Kosovë, njerëzit pajtohen në atë se janë dy çështje të pazgjidhura: punësimi dhe drejtësia. Kështu që, ne planifikojmë të kemi investime intensive të punës për të ngritur nivelin e punësimit, veçanërisht tek të rinjtë dhe gratë, dhe nga ana tjetër, ne planifikojmë të luftojmë korrupsionin dhe krimin, dhe të sjellim rregull e ligj dhe të krijojmë Bankën Zhvillimore për të ulur normat e interesit dhe për të rritur grejsperiudhat, në mënyrë që të kemi më shumë investime, nivel më të lartë punësimi, më shumë prodhim, më shumë eksporte, më pak importe, dhe në këtë mënyrë të dalim nga kjo krizë e shumëfishtë në një hekurudhë të progresit socio-ekonomik. Ne kandiduam dhe fituam me biletën e punësimit dhe drejtësisë.
BTA: Cila është perspektiva juaj mbi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe cili është propozimi i qeverisë së re për vazhdimësinë e këtij dialogu?
Albin Kurti: Këto janë ditët që festojmë përvjetorin e 13-të të shpalljes së pavarësisë, dhe kemi vënë re se në çdo sondazh, në çdo pyetësor, opinion publik, lokal apo internacional, dialogu me Serbinë është prioriteti numër gjashtë ose shtatë. Ne do të bëjmë një koncesion dhe ta shndërrojmë në prioritetin numër katër pas punësimit, drejtësisë dhe pandemisë Covid-19. Ne do të hapim një kapitull të ri me Serbinë përmes një dialogu të sinqertë bazuar në dyanshmëri dhe barazi, ku të dyja palët do të shpalosim marrëveshjet paraprake të këtyre gjashtë viteve të dialogut në Bruksel ku Beogradi thotë se kemi 47 marrëveshje, ndërkohë që ne insistojmë që kemi vetëm 33 të tilla, disa prej të cilave do të implementohen pjesërisht, disa plotësisht, e disa nuk do të implementohen fare. Sidoqoftë, nuk do të jetë e lehtë, mirëpo unë shpresoj se do të arrijmë të krijojmë një dialog të ri nën kujdestarinë e Brukselit dhe më ndihmën e Shteteve të Bashkuara. Ne duam që qasjen transaksionare të ish-Presidentit Trump ta shndërrojmë në një qasje transatlantike, duke pasur parasysh që normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të normalizojë vetë Serbinë dhe njëherit edhe Kosovën. Ne kemi nevojë për zhvillim. Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj; ata shpallen katër luftëra në ish-Jugosllavi, dhe kanë nevojë te demokratizohen. Unë besoj se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të bëhet në kurriz të normalizimit të këtyre njësive të veçanta, përkatësisht Serbi dhe Kosovë.
BTA: Si e shihni integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian?
Albin Kurti: Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është një proces që po ecën shumë ngadalë. Kjo për arsye se nga njëra anë, ne akoma nuk kemi liberalizimin e vizave, megjithëse kemi plotësuar të gjitha kriteret. Kurse nga ana tjetër, kemi pesë vende mosnjohëse: Spanjën, Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron. Unë planifikoj të punoj me këto shtete dhe t’i bind ato se nuk duhet t’i frikësohen pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj, dhe se nuk duhet ta krahasojnë veten e tyre me Serbinë e cila kreu gjenocid në pranverën e 1999-ës në Kosovë. Integrimi i Kosovës në BE është diçka që të gjithë njerëzit në Kosovë e duan, mirëpo unë njëherit e di që ne nuk do të futemi në BE, por nga vetja dhe brenda vetës, ne do të krijojmë vlera dhe standarde evropiane. Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, akoma e pa integruar në BE, nuk janë thjeshtë fqinjë të BE-së, meqenëse jemi të rrethuar nga BE-ja, dhe të gjitha këto gjashtë shtete duhet të përfshihen sa më shpejtë të jetë e mundur. Ballkani dhe BE-ja janë shumë të rëndësishëm për njëri-tjetrin.
BTA: Cili besoni se është roli i Bullgarisë në integrimin e Kosovës në BE?
Albin Kurti: Bullgaria është aleat i afërt, dhe në besojmë se mund të mësojmë shumë nga Bullgaria kur bëhet fjalë për integrim në Bashkimin Evropian. Qeveria jonë do të aplikojë për statusin e kandidatit, dhe unë shpresoj që të bashkëpunojë nga afër me Bullgarinë, si kur bëhet fjalë për integrimin në Evropë, por njësoj edhe kundrejt marrëdhënieve tona bilaterale, sepse unë mendoj se sa i përket bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor, ne mund të ndajmë dhe të shkëmbejmë shumë më shumë se deri tani. Ne i takojmë Evropës Juglindore, kemi histori të përbashkët, dhe besoj se ndajmë edhe qëllime dhe interesa të përbashkëta.