Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka përkujtuar demonstratat studentore të vitit 1981, me kërkesën për liri e barazi, duke tronditur kështu Jugosllavinë e atëhershme që po shtypte pa mëshirë popullin liridashës shqiptar në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se kërkesa për Republikën e Kosovës ishte kërkesë për liri e barazi, për të drejta kombëtare, qytetare dhe njerëzore. Mirëpo, përveçse kërkesë kundër shtypjes ishte edhe kërkesë kundër shfrytëzimit.
“Pasuritë e Kosovës po përdoreshin si lëndë e parë për fabrika përpunuese e produkte finale nëpër republika të ish Jugosllavisë. Në vitin më të ‘mirë’ të ish Jugosllavisë, 1979, standardi mesatar i jetesës në Kosovë ishte shtatë herë më i ultë sesa në Slloveni”, ka thënë ai.
Postimi i plotë:
40 vjet u mbushën sot nga 11 marsi i vitit 1981. Demonstrata e studentëve u bë edhe e punëtorëve dhe popullit mbarë. Gjendja e jashtëzakonshme dhe plumbat e burgjet e policisë nuk i ndalën studentët. Numri i tyre në demonstratat që vazhduan me 26 mars dhe 1 e 2 prill vetëm sa u shtua. Ish-Jugosllavia u trondit së brendshmi dhe kurrë më nuk e mori veten, kurse imazhi i saj ndërkombëtar u plasarit pakthyeshëm. Kërkesa për Republikën e Kosovës ishte kërkesë për liri e barazi, për të drejta kombëtare, qytetare dhe njerëzore. Mirëpo, përveçse kërkesë kundër shtypjes ishte edhe kërkesë kundër shfrytëzimit. Pasuritë e Kosovës po përdoreshin si lëndë e parë për fabrika përpunuese e produkte finale nëpër republika të ish Jugosllavisë. Në vitin më të ‘mirë’ të ish Jugosllavisë, 1979, standardi mesatar i jetesës në Kosovë ishte shtatë herë më i ultë sesa në Slloveni!
Viti 1981 ishte vit i Kosovës dhe i Polonisë, i demonstratave studentore te ne që e filluan fundin e një federate të padrejtë, dhe i Solidarnostit që paralajmëroi stuhinë e Evropës Lindore e cila do ta shembte më vonë perden e hekurt.
Ndryshe, me rastin e 40-vjetorit të demonstratave të ’81-shit, Shoqata e të Burgosurve Politik sot vendosi gurthemelin e monumentit që përkujton pranverën shqiptare ’81 dhe organizoi tryezë tematike në mensën e studentëve ku u përurua libri “Ngritja e Historisë” e Januz Januzaj, ndërkaq Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës hapi ekspozitën “Vullkani i Republikës”.