Në mbledhjen e KQZ-së që aktualisht është duke u mbajtur, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Alim Rama kanë thënë se shkresave të PZAP-së i është përgjigjur kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka, e jo Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim ashtu siç do të duhej të ishte sipas tyre.
Rama tha se Daka i është përgjigjur vet shkresave të cilat sipas tyre nuk i ka dërguar ZPPR-ja.
“Ju u jeni përgjigje vet shkresave në PZAP, ne i kemi informacionet se Zyra e partive politike nuk u janë përgjigjur shkresave”, tha ai, ndërsa Daka në anën tjetër tha se këto janë sulme personale ndaj saj.
“Asnjë shkresë nuk është nënshkruar asnjëherë në KQZ, dhe shkresat që i nënshkruaj unë i kontrolloj vet, unë e barti përgjegjësinë edhe penale edhe morale. Unë i nënshkruaj, përderisa e kam të drejtën me nënshkruar, unë do t’i shikojë se çfarë nënshkruaj. Dhe, ju lutem nëse bën të vazhdojmë me rend të ditës. Po e di që këto janë më shumë sulme personale ndaj meje”, tha Daka.
Kurteshi i LVV-së, tha se tema është pikërisht për KQZ-në dhe se nuk kanë hapur asnjë çështje personale për diskutim.
“Nëse ju konstatoni se paska sulme personale ndaj jush nga ne dhe këto nuk qenkan çështje të KQZ-së atëherë këtu paskemi punë me një çështje tjetër. Ju keni të drejt me përfaqësu KQZ-në në mënyrë teknike, por për vendimet që prekin përmbajtjen, nuk është në ligj dhe nuk është e paraparë që të jetë përgjegjësi e kryesueses së Komisionit.
Nuk ka fyerje, nuk ka çështje personale, nuk është e imja personale dhe asnjë çështje personale nuk e ngritëm as unë e as kolegu im. Ne po pyesim kush i ka dërguar shkresat në emër të KQZ-së, ato shkresa”, tha Kurteshi