×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Kur specat e domatet bëhen luks!

    FrontOnline
    18 Mars 2025

    Dimri në Kosovë nuk sjell vetëm të ftohtin, por edhe çmime të larta të perimeve. Domatet, specat dhe trangujt – dikur ushqime të përditshme – tani janë bërë luks.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se, gjatë muajit shkurt, çmimi i pemëve dhe perimeve është shtrenjtuar për 5.5 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Konsumatorët si Erina, 23 vjeçe, e ndiejnë menjëherë ndikimin.

    Familja e saj 4-anëtarëshe ka një buxhet të kombinuar prej rreth 800 eurosh në muaj.

    Erina thotë se përpiqet ta menaxhojë me kujdes buxhetin ushqimor, por se rritja e çmimeve e bën atë gjithnjë e më të vështirë.

    “Çmimet janë tepër të larta, në maksimum. Është e tmerrshme. Një kilogram speca kushton deri në pesë euro, ndërsa domatet dhe trangujt mbi dy euro”, thotë prishtinasja.

    Ajo tregon se ka raste kur nga dyqani kthehet me duar të zbrazura, sepse “ndihet në faj” të shpenzojë shumë për diçka që “do të duhej të ishte bazike” dhe “jo luks”.

    Halil Vllasi, kryefamiljar i një familjeje 6-anëtarëshe nga Podujeva, përballet me sfida të ngjashme.

    I angazhuar në punë të ndryshme në sektorin privat, ai tregon se fiton deri në 600 euro në muaj, por shton se vetëm shpenzimet për ushqime e kalojnë këtë shumë.

    “Nuk e di se si ia dalim. Punoj vetëm për ushqim. Tash është shtrenjtuar edhe më shumë, për shkak të Festës së Bajramit që po afrohet”, thotë Vllasi.

    Krahasimi që u bëri Radio Evropa e Lirë çmimeve aktuale të tregut me ato të vitit 2020, zbulon se sa drastike ishte rritja.

    Pesë vjet më parë, specat kushtonin rreth 1.5 euro për kilogram – sot deri në 5 euro.

    Trangujt apo domatet kushtonin rreth 1 euro për kilogram – sot çmimi tyre i kalon 2 euro.

    Sipas ASK-së, të gjitha produktet bujqësore vitin e kaluar ishin për 46.8% më të shtrenjta krahasuar me vitin 2020.

    Pse kjo rritje?

    Profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Imer Rusinovci, përmend një faktor madhor: mungesën e prodhimit vendor gjatë dimrit.

    Për shkak të kushteve të vështira të motit dhe infrastrukturës jo të përshtatshme, fermerët kosovarë e kanë të vështirë të kultivojnë perime jashtë sezonit të rregullt.

    Mungesa, pastaj, plotësohet nga importet, por mallrat e importuara vijnë me çmime më të larta, për shkak të tarifave doganore, kostove të transportit dhe kërkesës në rritje.

    “Një kilogram speca kushton pesë euro. Kjo situatë duhet të jetë alarm për institucionet. Duhet të gjendet zgjidhje që edhe gjatë kësaj periudhe të ketë prodhime vendore, në mënyrë që të ulet varësia nga importi dhe të ketë stabilizim të çmimeve”, thotë Rusinovci.

    Cila mund të jetë zgjidhja?

    Kosova mbështetet shumë në importet nga Shqipëria, Turqia, Greqia, Holanda dhe Izraeli.

    Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, vendi shpenzoi mbi 1.8 milion euro për importim të specave, domateve dhe trangujve në dy muajt e parë të këtij viti.

    Vetëm për speca u shpenzuan 1.2 milion euro, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar mbi 14 milionë euro.

    Disa fermerë, si Skënder Ramadani, shohin zgjidhje të mundshme, por thonë se kanë nevojë për mbështetje financiare.

    Kompania e tij “Fidanishtja e Godancit” rrit fidanë perimesh në sera dhe në verë kultivon speca, domate dhe tranguj. Por, prodhimi gjatë dimrit thotë se është sfidë.

    “Temperaturat janë të paqëndrueshme. Në serë duhet të ketë investime të shtrenjta, nevojiten kushte të jashtëzakonshme për të dalë me prodhime në treg më herët. Është shumë e vështirë”, thotë Ramadani.

    Eksperti i bujqësisë, Rusinovci, thotë se me grante apo subvencione nga institucionet, kultivimi i këtyre perimeve do të bëhej i mundur në çdo stinë.

    “Faktori njeri mund t’i koordinojë dhe organizojë objektet e mbyllura – qoftë për lagështi apo temperatura të ulëta, nëse në to instalohen ngrohje dhe aparatura të reja teknologjike”, sipas tij.

    “Unë do të bëja përpjekje nëse do të më siguroheshin donacionet”, thotë Ramadani.

    “Edhe vetëm sikur dy javë më herët të dilnim me produkte në treg, do të ishte më e favorshme edhe për ne, edhe për konsumatorët”, shton ai.

    A do të ndërhyjnë institucionet?

    Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nëse do t’i subvenciononte fermerët që mund t’i rrisin kapacitetet prodhuese gjatë sezonit të dimrit, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

    Një deklaratë e lëshuar nga kjo ministri në fund të vitit të kaluar, përmendi 89 milionë euro grante dhe subvencione të ndara për bujqësinë në vitin 2024, por nuk specifikoi se për cilat kultura bujqësore.

    Përveç tyre, rritje çmimi kanë pasur edhe prodhimet dhe shërbimet tjera në Kosovë, sidomos që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19 e këndej. Hov inflacionit i ka dhënë edhe pushtimi rus i Ukrainës që ka nisur më 2022.

    Disa ekspertë thonë se varësia e madhe nga importi ka diktuar jashtëzakonisht shumë çmimet në Kosovë.

    Mesatarisht në vit, Kosova importon mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh – duke filluar nga produktet bazë deri tek ato ndërtimore – ndërsa eksporton nën vlerën e 1 miliard eurove – më së shumti produkte të metalit dhe plastikës.

    Paga mesatare në Kosovë është rreth 570 euro.

     

    Nga Rubrika
    Lajme21 Prill 2025
    Pas vendimit të deputetes Duda Balje për të kaluar në opozitë, janë shtuar zërat se kjo lëvizje është ndërlidhur me përplasjet dhe...
    Lajme21 Prill 2025
    Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se disa nga të dyshuarit në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, kanë të...
    Lajme21 Prill 2025
    Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se arma me të cilën është vrarë rreshteri Muhamed Lika më 1 prill...
    Të tjera
    Lajme21 Prill 2025
    Një aksion i madh i Njësive Speciale po zhvillohet në Kaçanik, ku Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Gazetën Online Reporteri.net...
    Lajme21 Prill 2025
    Pak orë para fillimit të seancës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban...
    Lajme21 Prill 2025
    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se pritjet për të dalë nga Kosovës në pikën kufitare në Merdar po zgjasin deri...
    Lajme21 Prill 2025
    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka folur për FrontOnline vetëm pak orë para mbajtjes së seancës për...
    Lajme21 Prill 2025
    Një aksion i madh i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës po zhvillohet në Kaçanik. Në pamjet që janë publikuar në media,...
    Lajme21 Prill 2025
    Sot mbushen 35 vjet që nga lirimi nga burgu i veprimtarit Adem Demaçi. Ai në atë kohë është pritur në mënyrë madhështore...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.