Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se nga fundi i nëntorit, në Kosovë priten reshje bore.
Po ashtu ai shton se këtë vit, dimri pritet të jetë më i ftohtë se ai paraprak.
“Masat e ajrit të ftohta që kanë mbizotëruar ditëve të fundit, kanë ndikuar që në disa pjesë të territorit të Kosovës, në zona të izoluara që të ketë rënie të temperaturave, dhe të krijohen kushte për reshje bore. Patëm reshje bore që nuk e kanë përfshirë të gjithë territorin. Nuk janë reshje të dendura, janë të lehta. Në ditët në vijim presim të kemi riga shiu të cilat në vise të ulëta vijnë në formë shiu, e në vise të larta me borë”, tha Aliu në Klan Kosova.
“Bora në viset e ulëta pritet diku nga data 26 apo 27 nëntor. Sipas statistikave tona, ky vit do të jetë më ndryshe se viteve të tjera, në kuptimin e temperaturave më të ulëta dhe reshjeve më të dendura të borës, të cilat do të na shoqërojnë nga nëntori e edhe në muajt pasues, deri në mars”.