Tërë bota po e pret me interesim të madh rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara për shkak të rolit të rëndësishëm që ka ky vend në politikat botërore dhe pikëpamjeve të ndryshme të kandidatëve në këtë garë – Donald Trump dhe Joe Biden.
Këtë vit, një numër i madh i amerikanëve, për shkak të pandemisë, kanë vendosur që të votojnë përmes postës dhe kjo nënkupton që do të jetë më vështirë të dihet në fazë të hershme se kush është duke prirë në garë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Shtetet kanë rregulla të ndryshme për mënyrën dhe kohën e numërimit të votave me postë, që do të thotë se mund të ketë dallime të mëdha mes tyre gjatë raportimit të rezultateve.
Disa shtete, si Florida dhe Arizona, fillojnë t’i numërojnë votat me postë disa javë para 3 nëntorit. Disa të tjera, si Wisconsini dhe Pensilvania, nuk i prekin këto vota deri në ditën e zgjedhjeve dhe kjo mund ta ngadalësojë procesin e numërimit.
Për ta shtuar edhe më shumë paqartësinë, shtetet gjithashtu kanë afate të ndryshme deri kur i pranojnë votat me postë. Disa, si Georgia, i llogarisin si të vlefshme vetëm votat e pranuara deri më 3 nëntor, ndërsa të tjerat, si Ohio, i pranojnë të gjitha votat që vulën postare e kanë me datë të 3 nëntorit ose të ndonjë date të mëhershme.
Megjithatë, dihet qartë se në disa shtete do të nevojiten javë që të publikohet rezultati përfundimtar. Kjo do të thotë se do të jetë pothuajse e pamundshme që të dihet se kur do të dihet zyrtarisht emri i fituesit.
Në zgjedhjet e mbajtura në të kaluarën nuk ka ndodhur një skenar kaq i paqartë, kur rezultati mund të dihej rreth mesnatës. Në vitin 2008, rezultati u publikua saktësisht në kohën e mbylljes së qendrave të votimit, ndërsa më 2012, rezultati u publikua vetëm 15 minuta pas mbylljes së qendrave të votimit.
Sidoqoftë, në zgjedhjet e kaluara, fituesi nuk u kuptua deri në orën 1 e 35 minuta pas mesnatës sipas kohës lokale, kur presidenti Trump siguroi epërsi të konsiderueshme në Pensilvani, që ia siguroi fitoren kundër rivales së atëhershme, Hillary Clinton.