×
  • Opinione
  • Opinione

    Kur kriza e lidershipit maskohet si kërcënim kombëtar

    Adri Nurellari
    09 Prill 2025

    Shkruan: Adri Nurellari

    Në një moment kur Kosovës i nevojitet maturi, bashkëpunim institucional dhe forcim i konsensusit demokratik, kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur rrugën e tij të preferuar: instrumentalizimin e çështjeve të sigurisë për përfitime politike. Thirrja e fundit e Këshillit të Sigurisë, jo për ndonjë kërcënim real ndaj vendit, por për të mbuluar dështimin në formimin e një koalicioni të ri qeverisës, shënon një tjetër kapitull shqetësues të përdorimit të institucioneve si armë pushteti.

    Pasi partitë jo-serbe të pakicës nuk pranojnë të bashkëpunojnë me të – ose kanë kërkesa legjitime që ai refuzon – Kurti e trajton këtë situatë politike si krizë sigurie kombëtare. Pra, paaftësia e tij për të bashkëjetuar me pluralizmin dhe për të ndërtuar konsensus institucional, shndërrohet në alarm kombëtar.

    Dështimi i tij për të ndërtuar konsensus politik po paraqitet me vetëdije si “krizë sigurie”, duke kaluar çdo kufi të pranueshëm në një demokraci funksionale.

    Kjo është një praktikë autoritare dhe tejet e rrezikshme: instrumentalizimi i institucioneve të sigurisë për të bërë presion ndaj partnerëve të mundshëm, vetëm që të sigurojë mbijetesën e tij politike. Nuk është hera e parë që Kurti e përdor sigurinë si armë për të mbytur çdo debat dhe për të fshehur mungesën totale të rezultateve në fusha të tjera.

    Është pjesë e një modeli të qartë ku siguria është bërë mjet propagande, për të zëvendësuar mungesën e rezultateve konkrete në fusha të tjera. Gjatë gjithë mandatit të tij, Kurti nuk ka ndërtuar rrugë, nuk ka çuar përpara reforma në arsim e shëndetësi, nuk ka sjellë investime madhore apo hapur vende të reja pune dhe nuk ka përmbushur asnjë premtim elemtoral. E vetmja pikë ku ka përqendruar retorikën e tij është “kontrolli i veriut” dhe “shkëputja nga kthetrat Beogradit”.

    Është i njëjti kryeministër që nga njëra anë , me bujë propagandistike, shpallte se veriu u “çlirua” dhe është nën kontroll të plotë, dhe nga ana tjetër ndodhi sulmi terrorist i Banjskës dhe një vit më pas ai në kanalin nevralgjik Ibër-Lepencit. Të dy këto ishin sulme të paprecedentë që përgënjeshtronin çdo pretendim të Kurtit për stabilitet dhe kontroll.

    Nga njëra anë, Kurti dërgon kamerat për të filmuar mbylljen e postave të Serbisë në veri, dhe nga ana tjetër i kërkon NATO-s 1000 trupa shtesë për të ruajtur atë që ai e quan “kontroll të plotë”. Nga njëra anë, deklaron hapjen e bizneseve shqiptare në veri si shenjë të kthimit të normalitetit, ndërsa nga ana tjetër, zgjedhjet atje zhvillohen në kontenierë të improvizuar, jo në shkolla apo institucione publike si më parë – duke shkelur kështu, çdo standard minimal demokratik.

    Kjo është tabloja e një qeverisjeje që nuk njeh kufij institucionalë, që i shmanget llogaridhënies dhe që shndërron çdo sfidë në krizë për të ruajtur pushtetin. Dhe më tragjikja është se, përkundër retorikës për “shkëputje nga Beogradi”, sot po del se vetë Beogradi jo vetëm që nuk është larguar nga Kosova, por ka aq ndikim sa të kushtëzojë edhe qëndrimet e partive jo-serbe në Kuvendin e Kosovës.

    Por kjo sjellje nuk është thjesht një strategji politike për të larguar vëmendjen nga dështimet – është shenjë e një mentaliteti totalitar që refuzon pluralizmin dhe që çdo interes apo mendim ndryshe e trajton si armik, qoftë kur vjen nga aleatët ndërkombëtarë, sindikatat, shoqëria civile, mediat e pavarura e qoftë kur vjen nga partitë e tjera politike, si në këtë rast. Në vend të dialogut, preferohet përjashtimi; në vend të bashkëpunimit, etiketimi; në vend të reformimit, propaganda.

    Kur nuk ke vizion për zhvillim, kur nuk ke rezultate për të treguar, dhe kur nuk ke guxim për të ndërtuar dialog institucional, mbetet vetëm një mjet: propaganda dhe frika. Në fund, çfarë kemi sor? Një kryeministër kontradiktor që flet për “sovranitet e kontroll të plotë”, por kërkon trupa të huaja për ta mbështetur; që flet për parime e vlera, por nuk pranon kërkesa të brendshme legjitime nga partitë e pakicave; që flet për demokraci, por përdor institucionet e sigurisë për të bërë presion tek zërat ndryshe.

    Pra në fund të ditës, kjo nuk është më çështje sigurie – Kjo është krizë e thellë e lidershipit.

    Nga Rubrika
    Opinione15 Maj 2025
    Shkruan: Blerim Shala Edhe pse jemi në fillim të muajit maj, apo, nuk kemi mbërri as në fund të gjysmës së parë...
    Opinione14 Maj 2025
    Nga: Aneta Wolter Gjermania ka formuar qeverinë e re. Shqipëria, në javët që vijnë, do gjendet përpara të njëjtit hap, një proces...
    Opinione13 Maj 2025
    Nga: Fatos Çoçoli Pavarësisht nga partia fituese në zgjedhjet e djeshme, në tërësi, qetësia dhe qytetaria me të cilën mbi 1.4 milionë...
    Të tjera
    Lajme16 Maj 2025
    Kryeministrja italiane Giorga Meloni ka arritur në Tiranën fqinje për samitin e Komunitetit Politik Europian. Ndryshe nga të gjithë liderët tjerë, nikoqiri...
    Lajme16 Maj 2025
    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se rruga europiane e Kosovës ka stagnuar, pasi para dy ditësh Kosova...
    Lajme16 Maj 2025
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar me një mesazh të fuqishëm në rrjetet sociale, teksa Tirana pret sot...
    Lajme16 Maj 2025
    Kancelari gjerman Friedrich Merz ka kritikuar ashpër presidentin rus Vladimir Putin për mungesën e tij në bisedimet për paqe mes Rusisë dhe...
    Lajme16 Maj 2025
    Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, e ngarkuar për propagandë kundër Kosovës, Petar Petkoviq, ka bërë të ditur se është...
    Lajme16 Maj 2025
    Presidentja Vjosa Osmani ka folur për tryezën që do të udhëheqë ajo bashkë me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, sot në samitin...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.