Ka kohë që qëndron kështu e hapur.
Por, para derës së njësisë për vaksinim në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, nuk po pret askush. Lëvizjet më të shpeshta këtu po i bëjnë vetë mjekët e infermierët.
E fluksi i atyre që do të vijnë në këtë njësi për vaksinim me gjasë do të shtohet javën tjetër kur pritet të arrijnë vaksinat e para kundër gripit sezonal.
“Vaksinat duhet të arrijnë javën tjetër. Për fillim në dispozicion do të jenë 160 mijë e 500 vaksina. Qysh para një muaji MSh ka informuar se ato janë blerë përmes UNICEF-it, vijnë në nëntor në Kosovë dhe atëherë fillon vaksinimi”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Front Online.
Këto doza janë vetëm një pjesë e kontingjentit prej rreth 500 mijë sosh sa do të vijnë, shumëfish më shumë këtë vit, shkaku i pandemisë COVID-19.
Sigurimin dhe marrjen e tyre po e konsiderojnë si të rëndësishëm qytetarët në këtë kohë kur sipas tyre nisin edhe gripet.
“Normal sezona e vjeshtës ishte dashtë me qenë vaksinë e rregultë me marrë për shkak me qenë i mbrojtur prej gripave”, thotë një qytetar.
“Duhet me ble prej tjetër shteti me pru, këtu, për fëmijë, rini e pleqë. Më së pari fëmija, tani për pleq e për plaka”, u shpreh një tjetër qytetar për Front Online.
Procesi i vaksinimit dhe i ardhjes së vaksinave kundër gripit sezonal ishte paraparë të ndodh qysh në fillim të nëntorit.
Meqë nuk ndodhi kështu, ankesa pati të martën edhe në Kuvend ku u diskutua rreth menaxhimit të pandemisë COVID-19.