Gjykata Speciale ka bërë të ditur se paraqitja fillestare para trupit gjykues e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit do të bëhet brenda shtatë ditëve nga dërgimi i aktakuzës, raporton Front Online.
Ata në një përgjigje për Front Online kanë thënë se ditët ende nuk janë caktuar, por ato do të bëhen publike në faqen e tyre të internetit.
“Paraqitjet fillestare për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin nuk janë caktuar ende. Një paraqitje fillestare do të bëhet brenda shtatë ditëve nga dërgimi i aktakuzës për një të akuzuar. Ne do të shpallim kohën dhe datën për këto dëgjime në faqen tonë të internetit në kohën e duhur”, kanë thënë nga Specialja për Front Online.
Në aktakuzën e konfirmuar nga Gjykata Speciale ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, thuhet se në nga viti 1994 anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së kanë marrë përgjegjësinë për miratimin, legjitimitetin dhe inkurajimin e sulmeve dhe vrasjen e kundërshtarëve të tyre.
Të paktën 39 lokacione janë përmendur si vende ku krerë të UÇK-së kanë kryer vrasje në aktakuzën që Gjykata Speciale ka publikuar për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.
Në aktakuzën e publikuar, Specialja ka përmendur shumicën e komunave të Kosovës, ndërsa ka përmendur edhe Kukësin si territor ku janë kryer krimet e pretenduara.
Periudha mbi të cilën rëndon akuza ndaj tyre është mars 1998 deri shtator 1999.
Aktakuza përmend edhe 17 qendra ndalimi, që sipas Speciales, janë shfrytëzuar për torturim të të ndaluarve./Front Online/