Xh
Për herë të pestë ndodhet në Prekaz, në kompleksin “Adem Jashari”. Por Hamdi Murtezi, i druhet se kullat që u mbijetuan bombardimeve të Serbisë, rrezikojnë të shemben.“Me u shembë shembet Kosova. Jo kulla e Adem Jasharit, por Kosova shembet. Nuk është në rregull kurrkund hiç”, thotë Murtezi.Ligji është miratuar dy vjet më parë, por konservimi i kullave të Jasharajve që mezi qëndrojnë në këmbë, ende nuk është bërë.
Një nga arsyet, përmendet edhe ndryshimi i shpeshtë i qeverive, që ka shkaktuar edhe ndryshimet e shpeshta të komitetit ndërministror. Pjesë e komitetit është edhe Agjencia për Menaxhimin e Memorialëve.“Qeveritë po ndërrohen dhe në momentin që po ndërrohen qeveritë, por ndërron edhe Komiteti kështu që realisht po bëhen dy vite që kur është votuar Ligji për Kompleksin ‘Adem Jashari’ dhe ende ne nuk kemi bërë ndonjë punë të dukshme”, tha Bislim Zogaj, drejtor në Agjencinë për Menaxhimin e Memorialëve.Ka 22 vjet që kullat e Jasharajve po qëndrojnë në këmbë, e pa asnjë përkujdesje, ndonëse në rast të shembjes, vështirë se do ta merrte dikush përgjegjësinë.
“Është një fat i madh që ato kullat kanë rezistuar, përveç asaj ngjarje të tmerrshme, edhe kohës që 22 vite po bëhen duke i rezistuar edhe më tej kohës. Po shpresojmë se edhe këtë dimër do ta kalojnë, do t’i qëndrojnë këtij dimri dhe po shpresojmë se më në fund në vitin 2021 do të fillojmë”, tha Zogaj.Vizitorët e cilësojnë një katastrofë në rast se këto kulla shemben nga mospërkujdesja e institucioneve.“Patjetër kjo të rinovohet shpejt e shpejt. Të punohet të mbetet kompleks prej të mirëve. Pak me vonesë po shkojnë këto gjëra”, shprehet Hasan Zahiri, vizitor.“Është një katastrofë për heronjtë e popullit që kanë luftuar për këtë vend”, tha Gëzim Kuqi, vizitor.E numri i atyre që kanë vizituar këtë kompleks gjatë njëzet viteve të fundit, llogaritet të jetë shumë i madh.Llogaritet se që nga viti 1998 kur ndodhi Epopeja e UCK-së këtu në Prekaz të Drenicës, ku ra komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij, këtë kompleks përkujtimor e kanë vizituar më shumë se 10 milion persona. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se në rast se nuk ndërhyhet shumë shpejt në konservimin e kësaj kulle, kjo së shpejti mund të shembet dhe vizitorët nuk do të kenë më arsye, përse të vijnë më në Prekaz./euronews/