Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, ka folur për audio-incizimin e publikuar ku dëgjohet një bisedë mes kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dhe Milan Radojçiq, të akuzuarin kryesor për sulmin terrorist në Banjskë dhe të sanksionuarin e SHBA’së.
Shala e ka cilësuar këtë komunikim si një kërcënim serioz për sigurinë nacionale të vendit dhe ka kërkuar që ky rast të zbardhet plotësisht.
“Mendoj që raportet e tilla nuk janë vetëm të dëmshme por edhe të rrezikshme. Rrezikojnë sigurinë nacionale të vendit. Sidomos kur kemi parasysh, komunitet e tilla bëhen dhe zhvillohen me shumicë parlamentare dhe Qeverinë e vendit, përfshirë kryeministrin me aq sa kuptojmë nga këto biseda të publikuara. Por duhet them që zonja Kusari si subjekt bënë një lloj detyre politike dhe është në një funksion që nuk është krejtësisht politik, në dobi të politikave të shumicës dhe kryeministri, të cilat, i dakordon me një person që punon kundër interesit të Kosovës. Me persona të tillë dhe komunikime të tilla mund të zhvillohesh raporte, etëm raport me të cilat si shumicë dhe kryeministër cenon dhe rrezikon interesin e vendit tënd”, ka thënë Shala në RTV Dukagjini.
Shala përfundoi duke theksuar se kjo çështje duhet të hetohet deri në fund, pasi nuk është vetëm një çështje që lidhet me zonjën Kusari-Lila, por me sigurinë dhe interesat kombëtare të Kosovës.
“Mendoj që kjo duhet të zbardhet deri në fund, kjo s’ka të bëjë me zonjën Kusari, ka të bëjë me vendin”.