Kujtim Fejzullahi dyshohet se ua dërgoi dy bashkëpunëtorëve të tij një video të masakrës në revistën franceze satirike “Charlie Hebdo”, përpara se ta kryente sulmin terrorist mbrëmë në Vjenë të Austrisë, raporton The Sun.
Siç raporton mediumi anglez, Policia austriake i ka drejtuar dyshimet në këtë anë duke e hetuar planin e 22-vjeçarit për sulmin.
Klipet që dyshohet se i dërgoi ai, janë të masakrës së vitit 2015, ku u vranë 12 gazetarë nga dy anëtarë të ISIS-it.
Shqiptari 20 vjeçar me origjinë nga një fshat i Tetovës së Maqedonisë së Veriut ka qenë kryeprotagonisti i terrorit të mbrëmshëm. Ai dyshohet se ka vrarë katër persona dhe i ka plagosur 22 të tjerë. Vrasësi me nënshtetsi austriake mbante një kallashnikov, një pistoletë dhe një thikë të madhe, kur hapi zjarr pak para orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme. Ai u qëllua për vdekje nga Policia rreth 9 minuta më pas.
Të paktën 14 persona janë arrestuar në 18 bastisje që i kanë zhvilluar policët austriakë.
Detektivët po hetojnë një llogari tashmë të mbyllur në Instagram të cilën ata e konsiderojnë “të ngjarë” që i përkiste sulmuesit, raporton Bild.
E përditshmja gjermane raportoi gjithashtu për policë që hetonin dy marrësit e videos së “Charlie Hebdo” si pjesë të planit.
Lidhja Charlie Hebdo vjen ndërsa revista është bërë qendra e kritikave nga vendet myslimane pasi ribotoi karikaturat e diskutueshme të Profetit Muhamed.
Paraqitjet e Profetit Muhamed vlerësohen fyese për myslimanët dhe ISIS vetëm disa ditë më parë bëri thirrje për një valë të re sulmesh.
ISIS i nxiti xhihadistët të “derdhin gjakun e kryqtarëve” në “hakmarrje” për karikaturat e Profetit Muhamed.