Instituti i Mjekësisë Ligjore ka reaguar pas publikimit të disa fotove në mediat online ku shihen trupat që kanë ndërruar jetë në ambientet e morgut.
Në reagimin e tij, ky institucion ka deklaruar se shpesh morgu nuk ka mundësi t’i sistemojë në dhomat frigoriferike, të gjitha kufomat për shkak të fluksit të lartë të vdekjeve, ndërsa fotot e shpërndara në media i ka cilësuar inskenim.
Ata sqarojnë se kurrë sesi edhe në momente kur ka shumë vdekje nuk bëhet rrëmujë me kufomat siç është paraqitur në foto që IML i quan inskenim.
“Edhe logjika më elementare të thotë se ky është thjesht dhe vetëm një inskenim! Është e dhimbshme deri në neveri, që autori i fotove është kujdesur të kryejë një shërbim të porositur për të nxitur panik dhe nxirë bluzat e bardha të institucionit. Ne kemi njoftuar institucionet eprore për këtë operacion keqdashës dhe kriminal në raport me publikun dhe shpresojmë që fajtori të identifikohet e të vihet para drejtësisë”, thuhet ne njoftim.
Reagimi i plotë
Në emër të institucionit dhe të stafit tonë, shpreh indinjatën për inskenimin e bërë me fotografitë që janë nxjerrë në media nga mjediset e morgut!
Periudha që po jetojmë në punën tonë, ashtu si për të gjitha institucionet e ngjashme në spitalet e mbarë botës ka qenë tejet e mbingarkuar. Padyshim që morgu nuk bën asnjë përjashtim në pamundësinë për t’i sistemuar denjësisht të gjitha kufomat në mjediset frigoriferike në dispozicion, kur ka më shumë fatalitete.
Kur jemi në pamundësi, ato sistemohen në tavolina, më pas në barela dhe kur ndodh që të jenë më shumë, vendosen me respektin më të madh në dysheme bashkë me sendet vetjake të paketuara, pasi kryhen proceset përkatëse në pritje që t’u dorëzohen familjarëve. Por kurrsesi nuk është rrëmuja e paraqitur në fotot keqdashëse të shpërndara në media. Sendet personale që shoqërojnë trupat, janë veshjet e të ndjerëve, të cilat përbëjnë kujtime të çmuara për familjarët.
Edhe logjika më elementare të thotë se ky është thjesht dhe vetëm një inskenim! Është e dhimbshme deri në neveri, që autori i fotove është kujdesur të kryejë një shërbim të porositur për të nxitur panik dhe nxirë bluzat e bardha të institucionit. Ne kemi njoftuar institucionet eprore për këtë operacion keqdashës dhe kriminal në raport me publikun dhe shpresojmë që fajtori të identifikohet e të vihet para drejtësisë.
Drejtori:Bledar Xhemali