Trupi i pajetë i një gruaje 65 vjeçare, e cila ka vdekur ditën e djeshme në Klinikën e Nefrologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nuk është larguar deri në orët e hershme të ditës së sotme.
Viktima dyshohej se ishte e infektuar me virusin Covid-19, dhe kishte vdekur rreth orës 00:00, derisa Express mëson se trupi i saj është larguar nga klinika në orën 6 të mëngjesit.
Në dhomën ku po qëndronte kufoma, ishin edhe katër pacientë tjerë.
Express ka kërkuar sqarime nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës(SHSKUK), si dhe nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga zyra për informim në SHSKUK, është thënë se kufoma e 65 vjeçares ka qëndruar në një vend të caktuar në klinikë derisa janë kryer procedurat e nevojshme nga kompania për transportin e kufomave.
“Ju informojmë se kufoma ka qëndruar në një vend të caktuar në klinikë derisa janë kryer procedurat e nevojshme nga Qendra Operative dhe kompania e kontraktuar nga ShSKUK për transport të kufomave”, kanë thënë ata.
Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë janë distancuar nga përgjegjësia për këtë rast.
Zyra për informim në këtë ministri ka thënë se për rastin duhet të kontaktohen zyrtarë të SHSKUK-së.
“Për informata kontaktoni me zyrtarët e SHSKUK-së. Klinika që i referoheni është atje”, kanë thënë ata.
Ky nuk është rasti i vetëm, kur trupat e personave të pajetë po qëndrojnë me orë të tëra në instituticonet publike shëndetësore në vend.
Gazeta Express, ka raportuar të mërkurën për një rast të njëjtë në Spitalin e Mitrovicës.
Trupi i pajetë i një 84-vjeçari kishte qëndruar për gati 6 orë në dhomën e njëjtë me pacientët e tjerë në këtë spital.
I ndjeri pasi kishte vdekur, kishte rezultuar pozitiv me virusin Covid-19.
Familjarët e tij ishin shprehur të dëshpëruar për shkak të pamundësisë që ta marrin kufomën për t’i kryer procedurat e varrimit.