Sot janë bërë shtatë vjet nga ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, të cilët ishin kundërshtar të fuqishëm të kësaj marrëveshje, po e përmbyllin mandatin duke mos ndërmarr asnjë hap drejt korrigjimit të kufirit me Malin e Zi.
Ndonëse deklarata e ish-dy presidentëve Thaçi – Vujanoviq, e cila i është bashkangjitur marrëveshjes në fjalë, parasheh mundësinë e korrigjimit eventual të kufirit Kosovë – Mal i Zi, institucionet e Kosovës nuk kanë marrë asnjë hap në këtë drejtim.
Deklarata e përbashkët e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, parasheh mundësinë e formimit të një komisioni të përbashkët në mes të dy shteteve për korrigjimin e mundshëm të vijës kufitare.
Pavarësisht vullnetit të shprehur për këtë çështja nga Mali i Zi, formimi i komisionit në fjalë ka mbetur vetëm në letër.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në opozitë me gaz lotsjellës kishte kundërshtuar këtë marrëveshje, për këtë çështje ka folur vetëm kur është pyetur nga gazetarët apo nga deputetët në Kuvend.
Në qershor të vitit 2022, kur Kurti për këtë çështje ishte pyetur nga ish-deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, i pari i qeverisë kishte deklaruar se duhet të pritet formimi i komisionit.
“Komisioni i përbashkët duhet të formohet në momentin më optimal politik për të dyja vendet. Duhet të pritet formimi i këtij komisioni nga pala malazeze dhe pastaj të koordinohen aktivitetet edhe në terren ne jemi gati. Për palën e Kosovës dokumentet janë të qarta dhe ekspertët vendor edhe më tej kanë punuar në këtë drejtim”, kishte thënë Kurti.
Në përvjetorin e gjashtë të miratimit të kësaj marrëveshje, ish-anëtaret e Komisioni Shtetëror për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës, Dr. Hivzi Islami, Dr. Tomor Çela, Dr. Qerim Kastrati, kanë shkruar një opinion ku pretendojnë së Kosova ka humbur të gjitha afatet për korrigjimin e mundshëm të kufirit me Malin e Zi.
Ata kanë bërë me dije se pala malazeze çdoherë është treguar e gatshme për të vepruar në këtë drejtim.
“Nuk bëri zë as Qeveria Kurti dhe kufiri mbeti atje ku ishte shtatë dekada e gjysmë! Deri më 4 qershor të vitit 2020 gjatë demarkimit kishte mundësi bile për ndonjë korrigjim të vijës së kufirit sipas parimeve profesionale ”metër për metër” dhe “cilësi për cilësi”, në rast të ndonjë rruge apo burimi të ujit në terrenet komplekse gjeohapësinore! Nga pala malazeze gjithnjë ka ekzistuar kjo mundësi dhe gatishmëri, por, mjerisht, nga ana jonë as kjo nuk është shfrytëzuar dhe prandaj ikën të gjitha afatet e ligjshme dhe gënjeshtra e madhe prej 8.200 ha imagjinarë u shua përfundimisht”, është thënë në opinion.
Autoret e këtij opinion kanë kritikuar ashpër liderët e opozitarë të asaj kohe që kundërshtonin versionin zyrtar të marrëveshjes.
Sipas tyre, një gjë e tillë është bërë vetëm për qëllime politike.
“Fajtorët nga opozita (Haradinaj, Kurti dhe Limaj me grupet e tyre politike) dhe fallanga e LDK-së e prirë nga V. Osmani mbajnë përgjegjësi qytetare dhe institucionale për mosliberalizimin e vizave, kurse pseudo-ekspertët do t’i rëndojë përgjithmonë së paku përgjegjësia profesionale dhe akademike!”, thuhet në opinionin.
Gjatë mandati të tyre, Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, që ishin kritikues të marrëveshjes, gjatë këtyre viteve kanë vizituar dhe janë takuar disa herë krerët institucionalë të Malit të Zi, por asnjëherë nuk e kanë çelur për diskutim këtë çështje.
Kjo çështje nuk është hapur as nga Qeveria e Ramush Haradinaj, i cili ishte kundërshtari kryesor i kësaj marrëveshje.
Nga miratimi i kësaj marrëveshje, Kosova ka ndërruar tri qeveria, por asnjëra prej tyre nuk ka marrë asnjë veprim për të futur brenda territorit të Kosovës Çakorrin, Zhlebin dhe Bjelluhën.
Qeveria Haradinaj, Qeveria Hoti dhe tani Qeveria Kurti nuk kanë treguar asnjëherë gatishmëri për të marrë me këtë temë, ani pse pala malazeze vazhdimisht ka treguar vullnet për të rishikuar mundësinë e ndonjë gabimin në këtë proces.
Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 21 mars të vitit 2018. Kjo është bërë me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim.