Ministri Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka njoftuar se është arritur marrëveshja për zhbllokimin e llogarive të Telekomit.
Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, Kuçi ka shkruar se me këtë marrëveshje me operatorin “Dardafone.net”, borxhi i konfirmuar nga organet e drejtësisë do t’i paguhet operatorit privat në një periudhë disa-vjeçare, dhe nuk do të ketë më bllokim të llogarive nga përmbaruesit privatë.
Ai, ka thënë se kjo marrëveshje që tashmë është nënshkruar nga vet ai dhe Bordi i Telekomit, do të bëjë zgjidhje të përhershme të kësaj ndërmarrje dhe jo një zgjidhje vetëm për disa muaj.
Postimi i tij i plotë:
Arrihet marrëveshja për zhbllokim të llogarive të Telekomit
Sot kemi arritur me sukses të zhbllokojmë llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës dhe është nënshkruar një marrëveshje me operatorin ekonomik “Dardafone.net”.
Me këtë marrëveshje, borxhi i konfirmuar nga organet e drejtësisë do t’i paguhet operatorit privat në një periudhë disa-vjeçare, dhe nuk do të ketë më bllokim të llogarive nga përmbaruesit privatë.
Kjo marrëveshje për zhbllokim të llogarive do të përcillet edhe nga një Marrëveshje Mirëkuptimi për Subvencionim të Kushtëzuar për Investime në operacionet vitale mes Qeverisë së Kosovës dhe Telekomit.
Kjo marrëveshje që tashmë e kam nënshkruar unë dhe Bordi i Telekomit, do të bëjë zgjidhje të përhershme të kësaj ndërmarrje dhe jo një zgjidhje vetëm për disa muaj.
Me këtë marrëveshje mirëkuptimi, Telekomi ka marrë obligime për të investuar në teknologjinë e tyre, duke filluar nga implementimi i plotë i kodit shtetëror +383.
Gjithashtu, në zotimet e Bordit të Telekomit, kjo ndërmarrje do të punojë për të shkurtuar shpenzimet.
Duhet bërë e ditur që Telekomi i Kosovës do të kthen këto mjete të subvencionimit në llogarinë e Qeverisë së Kosovës./FrontOnline/