×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Ku mbeti dhe a u harrua Projektligji për pagën minimale

    FrontOnline
    20 Dhjetor 2022

    Projektligji që do t’i hapte rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë, ka mbetur aty ku ka qenë në qershor, i miratuar në lexim të parë.

    Për të hyrë në fuqi, ai duhet të kalojë edhe leximin e dytë dhe të tretë në Kuvendin e Kosovës dhe të nënshkruhet nga presidentja e vendit.

    Sipas rregullores së Kuvendit, pas miratimit në lexim të parë, projektligji duhet të procedohet në lexim të dytë brenda dy-tre muajsh, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

    Interesimit të mediave nuk i është përgjigjur as Armend Muja, kryetar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, të cilin rregullorja e Kuvendit e ngarkon me shqyrtimin e mëtejmë të Projektligjit për pagën minimale.

    Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 deri në 170 euro.

    Kjo vlerë, e pandryshuar qysh në vitin 2011, është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

    Projektligji i ri parasheh që ajo të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

    “Ka kaluar çdo afat”
    Ferat Shala, anëtar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, thotë se, pas miratimit të projektligjit në lexim të parë, nuk është bërë asnjë hap tjetër.

    “Ende nuk e kemi në lexim të dytë. Tashmë ka kaluar çdo afat i mundshëm optimal”, thotë Shala, deputet i opozitës në Kuvendin e Kosovës.

    Ai kujton se projektligji në fjalë ka shkaktuar pakënaqësi qysh në fillim dhe thotë se kjo mund të jetë arsyeja përse Qeveria “e zhargit”.

    “Qeveria, siç duket, është ende e paqartë për hapat e vet institucionalë dhe [projektligjin] nuk e kemi ende në lexim të dytë”, thotë Shala.

    Projektligji është kundërshtuar nga disa parti opozitare, të cilat kanë kërkuar që paga minimale neto të rritet në 370 euro.

    Projektligji, po ashtu, nuk parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve të luftës ashtu siç është aktualisht.

    Në rast se miratohet ashtu siç është, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë prej 170 eurosh. Për këtë arsye, veteranët kanë protestuar disa herë.

    Nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, thonë se nuk ka ndonjë mekanizëm kontrollues, që do t’i obligonte komisionet t’i respektojnë afatet kohore për shqyrtimin e projektligjeve.

    “Neglizhencë e papranueshme”
    Sipas një studimi të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, të publikuar në muajin prill, janë mbi 100 mijë punëtorë në Kosovë që marrin pagë minimale.

    Mbi 94 për qind e tyre janë të punësuar në sektorin privat, kryesisht në tregti me shumicë dhe pakicë, në industri përpunuese, në gastronomi, në aktivitete financiare dhe të sigurimit, në ndërtimtari e të tjera.

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se punëtorët në këtë sektor mbesin të harruar nga shteti.

    “Është e papranueshme neglizhenca që po i bëhet këtij projektligji. Punëtorët e sektorit privat vazhdojnë të marrin pagën minimale më të ulëtën në rajon e më gjerë”, thotë Azemi, shkruan REL.

    Në Kosovë, punëdhënësi më i madh është sektori privat, me më shumë se 220 mijë të punësuar. Paga mesatare bruto në këtë sektor është rreth 380 euro.

    Në sektorin publik, ndërkaq, janë të punësuar mbi 80 mijë persona, me pagë mesatare bruto rreth 620 euro.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia në vend, vitin e kaluar, është sjellë mes 20.5 për qind dhe 25.8 për qind.

    Norma e inflacionit, sipas ASK-së, ka arritur në 11.6 për qind në muajin nëntor.

    Viteve të fundit, Kosova është duke u përballur edhe me mungesë punëtorësh të profileve të ndryshme.

    Interesimi i qytetarëve për të punuar, sidomos në sektorin privat, ka rënë për disa arsye. Sipas Inspektoratit të Punës, ato lidhen me pagën e ulët, mungesën e kontratës, punën në fundjavë, mospagesën e orëve shtesë e të tjera.

    Nga Rubrika
    Lajme13 Janar 2025
    Kryeministri i Kososvës, Albin Kurti sonte në Pejë ka falënderuar  pejanët për mbështetjen, siç u shpreh pa rezervë, pa kursim, pa pushim...
    Lajme13 Janar 2025
    Lëvizja Vetëvendosje sonte po mban një tubim në qytetin e Pejës. Tubimi tashmë ka filluar dhe kjo është bërë e ditur nga...
    Lajme13 Janar 2025
    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca ushtarake perëndimore është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë që të sigurohet...
    Të tjera
    Sport13 Janar 2025
    Lojtarët e Barcelonës fituan Superkupën e Spanjës mbrëmë, duke mposhtur rivalin historik Real Madridin me rezultat 5-2. Nga finalja e luajtur në...
    Lajme13 Janar 2025
    Të enjten dhe të premten (16 – 17 janar) në Kosovë do të qëndrojë një delegacion prej tre anëtarësh i Asamblesë Parlamentare...
    Vip13 Janar 2025
    Një moment fantastik është krijuar në mes Vullnetit dhe Gresës duke u kujdesur për foshnjën e tyre të improvizuar. Ata u kujdesën...
    Zgjedhjet 202513 Janar 2025
    Kandidati për kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku, gjatë vizitës së tij në Kampusin e Shkollave të Mesme në Viti, ka vlerësuar projektin...
    Lajme13 Janar 2025
    Më 15 janar 2025, në Bruksel, do të zhvillohet takimi i parë inaugurues i Komisionit të Përbashkët për çështjen e të pagjeturve...
    Vip13 Janar 2025
    Këngëtarja Dafina Zeqiri ka reaguar për bullizimin dhe lojën agresive që banorët e BBVA4 po bëjnë ndaj Gjestit. ”Fu*k bullizem, still standing”,...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.