Nesër në Kosovë mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
E gjatë ditës së nesërme, votën në kutitë e votimit do ta hedhin edhe vet kandidatët për kryeministra.
LDK ka bërë të ditur se kandidati i saj për kryeministër, Avdullah Hoti, do të votojë në orën 09:30 në Fakultetin Filologjik.
Ai aty do të jetë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Servete Hoti.
Për dy kundërkandidatët e tij, Hoxhaj e Kurti nuk dihet akoma.
E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nesër do t’i drejtohet kutive të votimit sikurse një milion e 800 mijë qytetarë të tjerë që kanë të drejtë vote.
Ai në ora 09:30 do të shkojë në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë për të hedhur votën e tij.
Konferencat e rregullta të AAK-së për media lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë të planifikuar në këto orare: 10:30, 12:30, 14:30, 16:30, 18:30 dhe 20:30.
Po ashtu Presidenca ka dhënë detaje se ku pritet të votojë ushtruesja e detyrës, Vjosa Osmani.
Siç është bërë e ditur me anë të një komunikate për media, Osmani do të votojë në orën 10:00.
Ajo votën e saj do ta hedh në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë.
Ndryshe, Osmani garon në këto zgjedhje në një listë të përbashkët me Vetëvendosjen.