Dorëheqjet e fundit në Këshillin Shtetëror të Cilësisë nuk kanë ndikim në mbarëvajtjen e punëve të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AKA).
Kështu njoftoi AKA që iu drejtua me një sqarim të gjitha institucioneve të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës se Agjencia vazhdon procesin e vlerësimit të akreditimit institucional dhe të programeve akademike.
“Dorëheqjet e fundit nga KShC-ja, për fazën aktuale, nuk kanë ndikim në mbarëvajtjen e punëve të Agjencisë së Akreditimit”, thuhet në njoftim.
Agjencia e Kosovës për Akreditim shpreson që institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, konform kornizës ligjore, do të kontribuojnë në plotësimin e vendeve të parapara për anëtarë ndërkombëtare të KShC-së, me çka do të kthehet edhe funksionaliteti i plotë i KShC-së.
“Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe anëtarët e KShC-ës, i falënderojnë institucionet vendore e ndërkombëtare dhe shoqërinë civile, për përkrahjen e vazhdueshme që po japin në funksion të garantimit të cilësisë në arsimin e lartë dhe në plotësimin e kritereve për kthimin e Kosovës në Asociacionin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA)”, përfundon njoftimi.
Gjatë ditës së enjte u njoftua se kryetari, nënkryetarja dhe tre anëtarët ndërkombëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë kanë dhënë dorëheqje nga ky këshill, duke e lënë këtë institucion vetëm me katër anëtarë./FrontOnline/