Kryeministri Avdullah Hoti bashkë me anëtarë të kabinetit sot doli në një konferencë për media dhe prezantoi masat e reja të marra për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 derisa tha se do të miratohen në mbledhjen elektronike të Qeverisë.
Derisa po pritet ky aprovim, i cili pas katër orësh pritet të bëhet publik, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë që nuk janë pro mbylljes.
“Nuk jemi pro mbylljes së vendit. Për ne, aktualisht është gjithçka nën kontroll në komunën tonë. Fatmirësisht, angazhimi i madh po ndodhë në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe në QKMF. Është përgatitur edhe sektori për COVID-19. Në një pjesë të QKMF-së, aktualisht janë 14 shtretër që përdoren për personat e infektuar dhe gjithashtu i kemi disa shtretër rezervë në rast nevoje”.
Gashi në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë që masat e reja që janë paralajmëruar, janë mjaft shqetësuese sidomos për gastronominë.
“Normal që tek gastronomia ka pakënaqësi të shumta, pasi sot edhe pakoja për ndihmën ekonomike nuk kaloi dhe është pak shqetësuese për të gjitha bizneset se si do të ekzistojnë më tutje.
“Presim të shohim, pasi ende nuk është konfirmuar votimi i pakos dhe nuk e kemi marrë një vendim përfundimtar. Shpresoj që të ketë mirëkuptim në këtë drejtim”.
“Duke marrë parasysh që shëndeti është parësor, mendoj që në të gjitha masat duhet të jenë të kujdesshëm; nëse marim masa të tilla duhet të ketë edhe mbështetje tek bizneset, me qëllim që ato të mos humbasin krejt, siç ka ndodhur që bizneset nëpër komuna po kanë rënie të madhe dhe po mbyllen për shkak të pamundësisë së qerasë dhe shpenzimeve që i kanë ata”.