Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, uroi Glauk Konjufcën me rastin e zgjedhjes në krye të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Përmes një telegrami, Xhaferi është shprehur i gatshëm të avancojë bashkëpunimet mes dy shteteve, shkruan Front Online.
Në telegram thuhet:
“I nderuar z. Kryetar,
Më lejoni që në emër të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal t’ju drejtoj urime të sinqerta për zgjedhjen Tuaj në postin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me dëshirë për kryerje të suksesshme të këtij funksioni të rëndësishëm dhe të përgjegjshëm.
Jam i bindur se e ndani opinionin tim se bashkëpunimi aktiv ndërparlamentar mund të kontribuojë në masë të madhe në përforcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, marrëdhënie që karakterizohen me afërsi, përzemërsi dhe miqësi, si dhe mbështetje të ndërsjellë pa rezervë.
Prandaj, me këtë rast kisha dashur që edhe njëherë të konfirmoj gatishmërinë për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet dy kuvendeve tona në nivel të kryetarëve të Kuvendit dhe në nivel të komisioneve dhe grupeve të bashkëpunimit”.