Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova, në zyrat e FBK-së kanë pritur basketbollistin e talentuar nga Finlanda, Gëzim Bajramin, së bashku me babain e tij.
Fetahu dhe Rugova kanë përgëzuar Bajramin, për karrierën e zhvilluar në Finlandë dhe vendimin e tij që të luajë për grupmoshat e Kosovës. Ata i kanë uruar mirëseardhje me shpresë se shembullin e tij do ta ndjekin edhe basketbollistët tjerë që luajnë në diasporë, përcjell FrontOnline.
Bajrami është vetëm 17 vjeçar dhe ka luajtur për grupmoshat e Finlandës. Ai luan në pozitën qendër, derisa do të jetë pjesë e Kosovës U18 dhe U20, me shpresë dhe besim se një ditë do të jetë pjesë e Kosovës A.
Gëzimi ka falënderuar FBK-në për angazhimin dhe përkushtimin që ai të jetë pjesë e Kosovës dhe është shprehur i lumtur që do të veshë fanellën “Dardane”.
Basketbollisti i talentuar ka luajtur për Finlandën U16 dhe është pjesë e skuadrës Pyrintö.
“Federata e Basketbollit e Kosovës ju bënë thirrje të gjithë basketbollistëve që luajnë në diasporë të zgjedhin Kosovën dhe të jenë pjesë e Dardanëve”, thuhet në shkrimin e federatës./FrontOnline/